Juventusi e ka nisur me fitore sezonin e ri në Serie A, duke mposhtur Frosinonen me rezultat 1-0 në transfertë.
Zonja e Vjetër e nisi vrullshëm takimin, duke radhitur rastet para portës së skuadrës vendëse.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 22-të. Francisco Conceicao harkoi bukur në zonë, ndërsa Bremer u tregua i saktë me kokë për t’i dhënë epërsinë “Zonjës së Vjetër”.
Juventusi pati edhe disa mundësi për ta dyfishuar epërsinë, por portieri i Frosinones, Lorenzo Palmisani, bëri disa pritje të rëndësishme, ndërsa Pierre Kalulu goditi shtyllën.
Në pjesën e dytë, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti vendosi t’i japë minuta edhe Edon Zhegrovës, i cili u inkuadrua në minutën e 69-të në vend të Conceicaos.
Reprezentuesi i Kosovës pati një paraqitje pozitive në minutat që luajti, duke sjellë më shumë kreativitet dhe shpejtësi në fazën ofensive të Juventusit.
Në fund, goli i Bremerit rezultoi vendimtar dhe Juventusi e nis kampionatin me tri pikë të plota. /Telegrafi/
