Zyrtarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ai ia atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave.
Çitaku tha se Vetëvendosja po bëhet “qesharake” me këto pretendime dhe theksoi se kontributi i vetëm i tyre gjatë procesit ka qenë gazi lotsjellës dhe vonesat e shumta.
Në reagimin e saj, ajo e akuzoi Muratin se po merret me “krekosje” në vend se të kryejë detyrat e tij qeveritare.
“Kontributi juaj i vetëm në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës dhe vonesat disavjeçare. Asnjë kontribut tjetër nuk keni. Asnjë. Qesharak jeni bërë,” shkroi Çitaku.
Ajo ironizoi se, me këtë qasje, një ditë Murati mund të pretendojë se ka shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën.
Çitaku e ftoi ministrin të dalë dhe të shohë realitetin e qytetarëve, duke i përmendur çmimet e barnave dhe vështirësitë financiare të pensionistëve.
“Dil pak dhe shko në një barnatore, i sheh qytetarët duke mos pasur para as barnat me i pagu. Dil dhe tako ndonjë pensioner, e të tregon se si po duhet me kursy nga buka e gojës për t’i paguar faturat e energjisë,” u shpreh ajo, duke e mbyllur reagimin me thirrjen: “Kryeje ndonjë punë tënden, e pastaj krekosu.”
Reagimi vjen pas deklaratave të Muratit, i cili tha se qeveria aktuale ka pasur rol vendimtar në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, një çështje e diskutuar prej më shumë se një dekade në politikën kosovare./Telegrafi/