Nottingham Forest përfitoi nga një moment i rrallë dhe i pabesueshëm në përballjen e tyre në Ligën e Evropës ndaj Portos.
Skuadra angleze u rikthye në lojë falë një autogoli spektakolar, por në kuptimin negativ për vendasit, që vështirë se shihet shpesh në futboll.
Protagonist i këtij momenti ishte mbrojtësi Martim Fernandes, i cili në mënyrë të pabesueshme e dërgoi topin në rrjetën e tij nga rreth 40 metra distancë.
Porto kishte kaluar në avantazh që në minutën e 11-të me golin e William Gomes, duke marrë kontrollin e ndeshjes dhe duke lënë përshtypjen se do ta menaxhonte rezultatin me qetësi.
Megjithatë, vetëm pak çaste më vonë, gjithçka ndryshoi. Një moment pakujdesie nga Fernandes rezultoi fatal për skuadrën portugeze, pasi tentativa e tij për të kthyer topin përfundoi në mënyrë të çuditshme në portën e vet, duke i dhënë Nottingham Forest një mundësi të artë për t’u rikthyer në ndeshje.
Ky autogol jo vetëm që barazoi shifrat, por edhe ndryshoi rrjedhën e takimit, duke i dhënë skuadrës angleze një shtysë të madhe psikologjike për vazhdimin e përballjes./Telegrafi/