(E plotësuar) – Sapo kreu i Partisë Demokratike përfundoi fjalën e tij, nisi hedhja e fishekzjarrëve dhe molotovëve drejt Kryeministrisë.
Menjëherë pas kësaj, policia u përgjigj duke hedhur ujë në drejtim të protestuesve.
Pas thirrjeve të vazhdueshme për largimin e protestuesve, ata janë larguar nga godina e Kryeministrisë.
– YouTube youtu.be
Më tej, protestuesit nisën marshimin drejt Parlamentit.Nis protesta e PD-së, Berisha: Edi Rama i ka ditët e numëruara
Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike, deklaroi se Edi Rama i ka ditët e numëruara.
“20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbej, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë në një betejë, e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë”.
“Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin i cili në 46 vite shtetëzoi, ekzekutoi, burgosi, persekutoi, varfëroi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre. Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare”, tha Berisha.
“35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, por mbarë qytetarët shqiptarë, kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi. Sigurisht, jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit. Do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij. 35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitrolozët, për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do u rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën”, shtoi Berisha.
Sipas tij, “e vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”.
Nis protesta e PD-së! 1600 efektivë në terren
Ka nisur protesta e kësaj të premteje e Partisë Demokratike e lajmëruar në 20 Shkurt.
Në shesh janë mbledhur protestuesit dhe pritet të nisin fjalimet e para. Kjo është protesta e katërt e shënuar e Partisë Demokratike.
Sipas policisë së Tiranës në njoftimin zyrtar, tubimi i sotëm nuk është marrë në konsideratë nga policia për tu siguruar. Mësohet se në terren janë 1600 efektivë.
Sipas një deklarate zyrtare të Kreun të PD-së Sali Berisha, përpara gazetarëve ditën e sotme nuk ka dhënë detaje mbi skenarin e kësaj proteste.
Në protestat e kaluara është parë që ka pasur hedhje të molotovëve nga protestuesit, polica të plagosur dhe protestues të arrestuar./Euronews Albania