Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit në Podujevë.
Në njoftim thuhet se “gjatë këtij procesi ekzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës“.
Prokuroria gjithashtu thekson se së bashku me Policinë e Kosovës mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërkohë që institucionet përkatëse kanë theksuar rëndësinë e transparencës dhe ndjekjes së procedurave ligjore në procesin e numërimit të votave. /Telegrafi/