Ka vazhduar edhe sot java e 17-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut me zhvillimin e dy ndeshjeve. Arsimi u mposht në Shkup nga Vardari me rezultat të thellë 5-1, ndërsa Bashkimi ishte mysafir i Sileksit në Kratovë, në një takim që u mbyll pa gola, njofton Telegrafi.
Arsimi nuk arriti të marrë rezultat negatv në nisjen e gjysmësezonit pranveror, duke u përballur me një Vardar dukshëm më konkret dhe më dominues. Skuadra shkupjane e kontrolloi ndeshjen pothuajse gjatë gjithë kohës dhe gjeti rrugën e rrjetës pesë herë, përmes Cvetkoviqit, Nikolovit, Velkovskit, Bosanqiqit dhe Omeragiqit. Nga ana tjetër, ekipi shqiptar arriti të shënojë vetëm në minutat e fundit të takimit, kur Cuculi realizoi nga pika e bardhë, duke zbutur disi humbjen. Me këtë fitore Vardari ka shtuar epërsinë në renditje, 45 pikë, katër më shumë se Struga e dyta dhe gjashtë nga Shkëndija. Arsimi mbetet në pozitën e gjashtë me 22 pikë.
Ndërkohë, në Kratovë, përballja mes Sileksit dhe Bashkimit përfundoi pa fitues dhe pa gola, në një duel të baraspeshuar ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në fazën mbrojtëse.
Kujtojm se në derbin shqiptar të zhvilluar një ditë më parë, Shkëndija triumfoi ndaj Struga Trim Lum me rezultat 2-0, ndërsa Shkupi përjetoi një tjetër mbrëmje të errët, duke pësuar debakël 6-0 në përballjen me Tikveshin.
Pas këtij barazimi, Sileksi ka 32 pikë dhe mbetet në pozitën e katërt në tabelë, ndërsa Bashkimi ka nëntë pikë më pak dhe renditet në vendin e pestë. Në xhiron e ardhshme, Sileksi do të ketë një transfertë të vështirë ndaj Struga Trim Lum, ndërsa Bashkimi do të presë Pelisterin në stadiumin e vet në Kumanovë. Java e 17-të plotësohet nesër me duelet AP Brera – Makedonija Gj.P dhe Pelitseri – Rabotniçki. /Telegrafi/