Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i cili kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Në njoftimin e bërë publik të premten, Apeli bëri të ditur se e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe, sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur më 27 shkurt 2026 që të refuzojë kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj të pandehurve me inicialet E.A., A.K. dhe A.L., të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave” sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në lidhje me dispozitat përkatëse të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Me atë vendim, gjykata e shkallës së parë kishte urdhëruar që të pandehurit të lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27 shkurt 2026.
Megjithatë, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të lidhura me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale nga të pandehurit.
“Në rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Po ashtu, sipas kolegjit të kësaj gjykate, arsyetimi i aktvendimit të shkallës së parë rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.
Apeli ka vlerësuar gjithashtu se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit.
Për këto arsye, Gjykata e Apelit ka vendosur që aktvendimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. /Telegrafi/