Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Kurti ka theksuar se FSK-ja ka aftësi të shquara ndërkombëtarisht në kërkim-shpëtim dhe de-minim, prandaj ka qenë e gatshme të marrë pjesë.
“FSK-ja për shkak të aftësive të shquara ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit dhe de-minimit dhe jo vetëm, ka qenë e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare. Kemi qenë përfitues edhe ne nga Forcat Ndërkombëtare në vitin 1999, veçanërisht, dhe kemi dashur të kontribuojmë edhe ne”, tha Kurti në një deklarim për media.
Ai shtoi se Forca Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën do të ketë edhe një organizatë politike, dhe po diskutohen elementet konkrete të mënyrës se si do të funksionojë përpara.
Vendimi i Kosovës u bë i ditur edhe në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington, ku presidentja Vjosa Osmani njoftoi se Kosova është ndër pesë shtetet e para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.
Ky angazhim vjen pas ndihmës humanitare prej gjysmë milioni eurosh që Kosova ka dhënë për Gazën dhe shënon një kontribut të ri të vendit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare./Telegrafi.