Action for Mothers and Children (AMC) këtë javë mblodhi akterët kyç për një diskutim të rëndësishëm ku u shtjellua mënyra se si donacionet e barnave dhe pajisjeve medicinale mund të ndihmojnë në mbështetjen dhe qëndrueshmërinë e reformave në sistemin shëndetësor publik në Kosovë.
Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Dr. Arsim Berisha, theksoi rolin e donacioneve në ndërtimin e sistemit shëndetësor publik në Kosovë ndër vite si dhe në vazhdimësi si një katalizator dhe udhëheqës i përmirësimeve të shërbimeve.
Arsim Berisha
Udhëheqës nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Barnatorja Qendrore, Oda e Farmacistëve të Kosovës, Fakulteti i Mjekësisë dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale theksuan rolin kyç të zyrës së donacioneve në QKUK në koordinimin e donacioneve për klinikat, me qëllim përmbushjen e nevojave të përditshme mjekësore dhe mbështetjen e përfshirjes së barnave në Listën e Barnave Esenciale.
Drejtorja e Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, theksoi sfidat në sigurimin e vazhdueshëm me barna esenciale për shkak të vonesave në procedurat e prokurimit publik.
Dardane Mehaj
Dhurimi i Surfaktantit si shembull suksesi
“AMC ka parë nga afër rolin jetik të donacioneve mjekësore ndërkombëtare në shpëtimin e jetëve dhe forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë” u shpreh Drejtorja Ekzekutive e AMC-së, znj. Rina Demiri Spahija.
Ndërsa Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Dr. Luan Morina u shpreh se “Donacionet e surfaktantit nga AMC dhe Americares kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e normës së mortalitetit të foshnjave premature në Kosovë si një nga normat më të larta të vdekshmërisë neonatale në Europë.”
Americares është një organizatë jofitimprurëse lidere globale në shëndetësi, është njëherit edhe një nga partnerët më të rendësishëm të AMC-së.
Fitim Sadiku
“Që nga viti 2006, Americares ka ofruar gati 4,150 flakona të Survanta (surfaktant), një medikament jetëshpëtues. Çdo flakon i ndihmon foshnjat e lindura para kohe të marrin frymë vetë, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. Kjo është e mundur vetëm falë bashkëpunimit tonë të ngushtë me Action for Mothers and Children,” tha Dmitriy Popov, drejtor i asociuar për partneritete në Euroazi nga Americares, në një video-mesazh. “AMC ka qenë partneri ynë i besuar për më shumë se një dekadë, duke siguruar që çdo donacion barnash të arrijë në institucionin e duhur, tek klinicisti i duhur dhe në fund, tek një foshnjë në nevojë, në momentin e duhur. Së bashku, kemi ofruar gati 9 milionë dollarë produkte mjekësore për të përmirësuar shëndetin e familjeve në mbarë Kosovën.”
Tryeza e rumbullakët, “Ndikimi i Donacioneve të Medikamenteve si Nxitës të Reformave të Qëndrueshme në Shëndetësinë Publike” është pjesë e një serie të vazhdueshme diskutimesh të organizuara nga AMC mbi prioritetet që ndihmojnë drejtpërdrejt në kujdesin ndaj pacientëve.
Violeta Grajqevci
Rekomandimet e dala nga pjesëmarrësit e tryezës ishin:
Pavarësisht rritjes së buxhetit për shëndetësi krahasuar me vitet paraprak, rekomandohet rritje e mëtejshme dhe e qëndrueshme e buxhetit për barna dhe pajisje mjekësore, në përputhje me nevojat reale të sistemit shëndetësor;
Zbatimi i reformave legjislative dhe administrative në procesin e regjistrimit të barnave, me theks të veçantë në terapitë biologjike dhe onkologjike;
Nevojitet ndryshimi i Ligjit të Prokurimit Publik dhe thjeshtimi i procedurave të prokurimit, me qëllim përmirësimin e qasjes dhe efikasitetit në furnizimin me barna;
Megjithëse AMC dhe Americares dhurojnë vazhdimisht vitamina prenatale, këto produkte duhet të përfshihen zyrtarisht në Listën e Barnave Esenciale;
Rekomandohet forcimi i mekanizmave të monitorimit dhe raportimit të donacioneve medikamentoze tek donatorët.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është një organizatë jofitimprurëse që punon për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës.
AMC avokon për një kujdes shëndetësor më të mirë përmes edukimit, mbledhjes së fondeve dhe hulumtimit. Për më shumë informata, vizitoni AMCHealth.org.