Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk kishte shpallur rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Në vendimin e tij, PZAP thekson se nuk pajtohet me vendimin e KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj.
Në reagim lidhur me këtë vendim, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur,” thuhet në deklaratën e ambasadës.
Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.
“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve,” përfundon reagimi.