Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë ku është vendosur se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb më 10 tetor 2025, e dokumentuar në procesverbalin e seancës, nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Kërkesa ishte dorëzuar nga 10 deputetë të Kuvendit, përfshirë Igor Simiq, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e procesverbalit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës me pretendimin se ai është në kundërshtim me dispozitat relevante kushtetuese dhe rregulloren e punës së Kuvendit.
Në vendimin e saj, Gjykata thekson se ky proces ka shkelur parimet e barazisë dhe procedurës së rregullt në Kuvend.
“Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb më 10 tetor 2025, nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata gjithashtu bëri të qartë se ky konstatim nuk ka efekt prapaveprues.
“Veprimet e kryera gjatë këtij procesi mbeten në fuqi deri në marrjen e një vendimi të ri nga organet përkatëse”.
Në aktgjykim, Kushtetuesja ka vlerësuar se propozimi për nënkryetarin nga komuniteti serb duhet të bëhet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb apo të komuniteteve tjera që nuk janë shumicë.
“Çdo shmangie nga ky standard cenon legjitimitetin kushtetues të procesit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në aktgjykim.
Gjykata ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të deputetëve për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit.
“E drejta e shumicës për propozimin e kandidatit për nënkryetar nga komunitetet që nuk janë shumicë, e përcaktuar dhe e garantuar me Kushtetutë, duhet të respektohet nga të gjithë deputetët dhe të realizohet përmes bashkëpunimit në mirëbesim, ku deputetët veprojnë në interesin më të mirë të shtetit”
Gjykata gjithashtu ka konstatuar se procedura e shortit, e përdorur nga Kryetari i Kuvendit Dimal Basha për të zgjidhur ngërçin, nuk ishte zbatuar në përputhje me frymën dhe qëllimin e saj,
“Zbatimi i këtij mekanizmi në mënyrë që shumica e deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e këtyre të fundit, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”, thekson Kushtetuesja në aktgjykimin e saj.
Gjykata ka theksuar se shumica e deputetëve serbë kishin propozuar nëntë kandidatë të tjerë dhe kishin marrë pjesë në votim, duke përfshirë edhe votimin kundër Rashiqit, prandaj nuk ishin plotësuar kushtet për aktivizimin e mekanizmit debllokues të procedurës së shortit.
Ky vendim shërben si precedent ligjor për të garantuar respektimin e procedurave kushtetuese në konstituimin e institucioneve, veçanërisht në periudha tranzicioni pas zgjedhjeve parlamentare.
Aktgjykimi i plotë. /Telegrafi/