Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i tretë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.
Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, zbatimi i ligjit dhe investimet shtetërore mbeten sfida kyçe për sektorin e pylltarisë në Kosovë, pavarësisht një kornize ligjore të avancuar dhe mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë.
Kështu u tha në episodin ku i ftuar ishte Tahir Ahmeti, Drejtor i Departamentit të Pylltarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i cili foli për rolin e institucioneve, sfidat në terren dhe rëndësinë strategjike të pyjeve për zhvillimin e vendit.
“Departamenti i Pylltarisë është departament politikë-bërës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe është përgjegjës për hartimin e politikave, programeve, dokumenteve strategjike, planeve të veprimit dhe kornizës ligjore për menaxhimin e pyjeve në Kosovë”, tha Ahmeti, duke sqaruar përgjegjësitë institucionale të sektorit shkruan Telegrafi.
Sipas Ahmetit, Kosova ka një nga ligjet më të avancuara për pyjet në rajon, të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por problemi kryesor mbetet zbatimi në praktikë.
“Ligji për pyjet rregullon jo vetëm mbrojtjen e pyjeve, por edhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve pyjore, pyllëzimin, kultivimin e pyjeve dhe produktet pyjore jo -drusore. Megjithatë, zbatimi i tij në praktikë nuk përmbush gjithmonë qëllimin për të cilin është hartuar”, theksoi ai.
– YouTube www.youtube.com
Ai shtoi se prerjet ilegale mbeten një prej sfidave kryesore për zhvillimin e sektorit.
“Prerjet ilegale janë konstatuar si sfida kryesore nga të gjithë ekspertët dhe forumet profesionale. Nuk është problem i sotëm, por është intensifikuar sidomos në vitet e pasluftës dhe vazhdon të mbetet problem serioz”, tha Ahmeti transmeton Telegrafi.
Ahmeti kritikoi nivelin e ulët të investimeve dhe buxhetin e ulët për sektorin e pylltarisë, duke theksuar se ky sektor nuk trajtohet në përputhje me rëndësinë që ka.
“Kur flasim për mbi 44 për qind të territorit të Kosovës që është i mbuluar me pyje, buxheti vjetor për pylltari nuk tejkalon katër milionë euro. Kjo është sa ndërtimi i një rruge të vogël në një fshat”, u shpreh ai.
Foto: Ridvan Slivova
Ai theksoi se edhe kapacitetet inspektuese janë të pamjaftueshme për të garantuar zbatimin e ligjit.
“Inspeksioni pyjor ka numër shumë të vogël të inspektorëve dhe kapacitete të mangëta teknike. Pa koordinim institucional dhe pa inspektim efektiv në terren, ligji mbetet vetëm në letër. Menaxhimi i pyjeve nuk është afatshkurtër. Flasim për resurse që kërkojnë vizion, politika dhe strategji qindvjeçare. Ne nuk guxojmë t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme pyjet në gjendje më të keqe sesa i kemi marrë”, përfundoi ai.
Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.