Mohamed Salah ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2027, por gjithçka tregon se vera e ardhshme mund të sjellë fundin e epokës së tij në “Anfield”, pas plot nëntë sezonesh me fanellën e “The Reds”.
Në dimër, 33-vjeçari kishte lënë të kuptohej se një largim ishte i mundshëm, ndonëse situata me trajnerin Arne Slot u qetësua më pas. Megjithatë, e ardhmja e tij mbetet e pasigurt dhe sinjalet nga tregu janë të qarta.
Sipas “Financial Times”, Liga Profesionale Saudite po shton presionin për transferimin e yllit egjiptian. Agjenti i Salahut thuhet se ka nisur bisedime me Al Ittihad për të eksploruar një marrëveshje të mundshme.
Klubi saudit është në kërkim të një emri të madh për repartin ofensiv dhe Salah shihet si objektivi ideal për të udhëhequr projektin e tyre të ri.
Nga ana tjetër, Liverpooli ndodhet përballë një vendimi strategjik. Nëse nuk arrihet një zgjatje e kontratës, kjo verë përfaqëson mundësinë e fundit për të përfituar financiarisht nga një transferim i tij, përpara se vlera të bjerë me afrimin e vitit të fundit të kontratës. Për momentin, rinovimi nuk duket në horizont.
Vetë Salah raportohet se është i hapur ndaj një aventure në Arabinë Saudite, çka e bën këtë verë vendimtare për një nga figurat më ikonike të Liverpoolit në dekadën e fundit. /Telegrafi/