Casemiro pritet të largohet nga Manchester United në fund të sezonit, pas skadimit të kontratës së tij, dhe sipas raportimeve të fundit, destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë AC Milan.
Mesfushori brazilian do të mbyllë aventurën katërvjeçare me Manchester United këtë verë. Klubi anglez konfirmoi në janar se nuk do t’ia rinovojë kontratën 34-vjeçarit.
Që prej transferimit nga Real Madrid në gusht 2022, Casemiro ka zhvilluar 146 ndeshje dhe ka shënuar 21 gola në të gjitha garat. Ai u bë shpejt një nga lojtarët më të dashur për tifozët falë shpirtit luftarak dhe kontributit në momentet vendimtare.
Megjithatë, forma e tij ka qenë objekt kritikash, sidomos gjatë periudhës së fundit të drejtimit të Erik ten Hag dhe në kohën e shkurtër kur skuadra u udhëhoq nga Ruben Amorim.
Pavarësisht kësaj, braziliani ka rigjetur formën nën drejtimin e Michael Carrick, duke qenë vendimtar në fitore të rëndësishme ndaj rivalëve të mëdhenj në javët e fundit.
Ribashkim me Modrić në Milano?
Milani ka treguar se nuk heziton të afrojë lojtarë me përvojë. Verën e kaluar, klubi solli në “San Siro” veteranin kroat Luka Modrić, i cili më parë ka ndarë suksese të mëdha me Casemiron te Real Madridi, duke fituar disa trofe prestigjiozë.
Modric ka firmosur kontratë njëvjeçare me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër, dhe paraqitjet e tij nën drejtimin e Massimiliano Allegri pritet ta bëjnë aktivizimin e këtij opsioni pothuajse të sigurt.
Aktualisht, Milani renditet i dyti në Serie A, dhjetë pikë pas rivalëve të qytetit, Inter. Afrimi i Casemiros mund të forconte ndjeshëm mesfushën dhe ta kthente ekipin në pretendent serioz për titull sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/