Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditësit: Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti”, kundër të paditurave: Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me objekt shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, përkatësisht nenit 21 të Rregullores (QRK) Nr.19/2024 për Procedurat e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Drejtorëve dhe Zëvendësdrejtorëve, Mësimdhënësve, Bashkëpunëtorëve Profesionalë, Asistentëve, Instruktorëve dhe Sekretarëve në Institucionet Publike Edukativo-Arsimore dhe Aftësuese të Arsimit Parauniversitar, pas shqyrtimit gjyqësor publik, ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit.
Përmes një njoftimi për media thuhet se është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar nenin 21 i Rregullores (QRK) Nr.19/2024, e miratuar me Vendimin Nr.03/212 të datës 10.07.2024 ndërsa është refuzuar kërkesa e paditësit për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit.
“Gjykata Supreme vlerëson se Qeveria ka pasur kompetencë kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e rregullores në fjalë, mirëpo dispozita e kontestuar, përkatësisht neni 21 i saj, nuk është në përputhje me nenin 35 paragrafi 4 të Ligjit Nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim ligji për Arsimin Parauniversitar, si ligj i veçantë (lex specialis), përcakton qartë se përzgjedhja e mësimdhënësve bëhet nga një komision i themeluar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, ku përfshihen edhe drejtori i institucionit arsimor dhe përfaqësuesit e Këshillit Drejtues.
“Ndërsa neni 21 i Rregullores Nr.19/2024 kishte ndryshuar këtë përbërje duke përjashtuar këta përfaqësues, duke rënë ndesh me dispozitat ligjore në fuqi dhe me parimin e hierarkisë së akteve juridike. Rregullorja në fjalë, respektivisht neni 21 i saj, rezulton se është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, pasi ndryshon përbërjen e organit vendimmarrës të përcaktuar me ligj, duke përjashtuar subjekte që ligji i konsideron pjesë përbërëse të domosdoshme të këtij procesi. Gjykata Supreme thekson se aktet nënligjore duhet të jenë në funksion të zbatimit të ligjit dhe nuk mund të ndryshojnë apo kufizojnë dispozitat e përcaktuara me ligj”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/