Aktorja dhe sipërmarrësja amerikane Gwyneth Paltrow ka nxitur debat në rrjete sociale, pasi ka kritikuar atë që e quajti ndikimi i “super të pasurve të bardhë” në kulturë dhe shoqëri, veçanërisht në kontekstin e Silicon Valley.
Paltrow i bëri komentet gjatë një bisede me gazetaren e njohur të biznesit Kara Swisher në “The Goop Podcast”, ku tema kryesore ishte pabarazia e pasurisë dhe “gjendja e Silicon Valley”, me theks të veçantë te mënyra se si teknologjia dhe miliarderët e saj po ndikojnë në vendimmarrje, shëndet dhe kulturë.
Gjatë diskutimit, Paltrow ngriti pyetjen se si shoqëria ka arritur në një pikë ku fitimet dhe të ardhurat duket se janë bërë qendra e gjithçkaje. Ajo u shpreh se e shqetëson fakti që, sipas saj, gjithçka reduktohet te një grup i vogël njerëzish jashtëzakonisht të pasur, të cilët “thyejnë rregullat”, i “shkruajnë vetë” dhe nuk duken të shqetësuar për pasojat afatgjata. Në këtë kontekst, ajo përmendi edhe figura të njohura të botës së teknologjisë, duke përfshirë Mark Zuckerberg.
Gwyneth Paltrow (Foto: EPA)
Paltrow foli edhe për idenë amerikane të meritokracisë, duke thënë se në SHBA ekziston bindja se “çdokush mund të arrijë sukses” pavarësisht prejardhjes, por në të njëjtën kohë krijohet një hierarki ku njerëzit e pasur dhe të suksesshëm trajtohen sikur kanë diçka pothuajse “hyjnore”, thjesht sepse kanë shumë para dhe ndikim. Ajo ra dakord me disa prej vërejtjeve të Swisher, përfshirë idenë se shoqëria shpesh e ngatërron pasurinë me inteligjencën dhe se vendimet për shumë njerëz përfundojnë duke u marrë nga një grup i vogël dhe relativisht homogjen.
Megjithatë, deklaratat e Paltrow ndezën menjëherë diskutime në rrjete sociale, ku shumë përdorues e kritikuan atë për hipokrizi, duke kujtuar se edhe vetë ajo është shumë e pasur dhe ka ndërtuar një markë luksi përmes kompanisë së saj Goop. Disa komente ironizonin faktin se kritika ndaj “super të pasurve” vjen nga një person që, sipas vlerësimeve të mediave, ka pasuri të konsiderueshme dhe një background të privilegjuar.
– YouTube youtu.be
Nga ana tjetër, pati edhe zëra që e mbështetën aktoren, duke thënë se është pozitive që ajo e përdor platformën e saj për të hapur biseda mbi pabarazinë, kultin e pasurisë dhe mënyrën se si shoqëria magjepset nga pushteti i të tjerëve, edhe kur kjo ka kosto personale e kolektive. /Telegrafi/