Nga ritmi i brendshëm dhe temperamenti, deri te ankthi i fshehur: çfarë tregon të folurit e tepërt në mëngjes
Derisa disa njerëz në mëngjes mezi shqiptojnë “mirëmëngjes”, të tjerët që me gllënjkën e parë të kafesë nisin biseda, bëjnë pyetje dhe rrëfejnë planet për tërë ditën. Ky dallim nuk është vetëm çështje shprehie, sepse shpesh ka arsye më të thella psikologjike dhe biologjike.
Biseda e mëngjesit si pasqyrim i ritmit të brendshëm
Mënyra se si komunikojmë sapo zgjohemi varet në masë të madhe nga ritmi ynë cirkadian. Njerëzit që natyrshëm janë “tipa të mëngjesit” zgjohen më shpejt, arrijnë më herët kulmin e energjisë dhe të qartësisë mendore, ndaj edhe komunikimi i tyre është më spontan dhe më intensiv.
Ndryshe nga ta, ata që kanë nevojë për kohë që të “ndizen” shpesh e përjetojnë të folurit e mëngjesit të të tjerëve si të lodhshëm, madje edhe si ndërhyrës.
Kur të folurit bëhet mënyrë për të qetësuar shqetësimin
Megjithatë, te disa njerëz nevoja e shtuar për të folur, sidomos herët në mëngjes, mund të ketë edhe funksion psikologjik. Në këtë rast, të folurit bëhet mënyrë për të rregulluar emocionet. Personat që ndiejnë tension të brendshëm ose ankth shpesh kanë nevojë të flasin shpejt dhe shumë, sikur përmes fjalëve përpiqen ta “nxjerrin” tepricën e energjisë. Në situata të tilla mund të ndodhë që të flasin më shpejt sesa mendojnë, të kapërcejnë nga një temë në tjetrën ose më vonë të kenë përshtypjen se kanë thënë më shumë nga sa kanë dashur.
Ekspertët shpjegojnë se ky është një lloj mekanizmi shkarkimi: derisa flasim, jemi më pak të përqendruar te tensioni ynë i brendshëm.
Ekstrovertësia dhe nevoja për kontakt
Për shumë njerëz, komunikimi i mëngjesit nuk ka lidhje me stresin, por me personalitetin. Tipat ekstrovertë e marrin energjinë nga kontakti me të tjerët, prandaj për ta është e natyrshme ta nisin ditën me bisedë.
Për ta, heshtja mund të duket e pakëndshme ose e zbrazët, ndërsa biseda u jep ndjenjën e lidhjes dhe i vë në lëvizje.
Frika nga heshtja dhe nevoja për ta “mbushur hapësirën”
Për disa njerëz, heshtja është thjesht e pakëndshme. Ekziston bindja se çdo ndërprerje në komunikim duhet mbushur, edhe nëse kjo do të thotë të flasim tepër ose pa lidhje të qartë.
Në prapavijë të kësaj mund të jetë frika se do të dukemi të painteresuar, të pasigurt ose jo mjaft interesantë.
Shprehitë që i marrim nga familja dhe mjedisi
Mënyra se si flasim shpesh është e mësuar. Nëse jemi rritur në një mjedis ku të gjithë flisnin në të njëjtën kohë ose garonin për vëmendje, mund të zhvillojmë nevojën të flasim shpejt dhe shumë për ta “zënë hapësirën”.
Ky model më pas bartet edhe në marrëdhëniet e të rriturve, madje edhe në rutinat e mëngjesit.
Kur të folurit bëhet problem
Vetë të folurit e mëngjesit nuk është problem. Ai bëhet i tillë vetëm kur:
• cenon marrëdhëniet, sepse nuk respekton nevojën e tjetrit për qetësi
• vepron si presion mbi rrethin
• fsheh tension të brendshëm që personi nuk di ta rregullojë ndryshe
Në këto situata është e dobishme t’i kushtohet vëmendje ritmit të të folurit, të bëhen pauza dhe të dëgjohen reagimet e bashkëbiseduesit.
Si të përshtatemi nëse në mëngjes nuk kemi të njëjtin “ritëm”
Dallimet në komunikimin e mëngjesit janë të shpeshta në partneritet, familje dhe në punë. Lajmi i mirë është se ato mund të zbuten lehtë, me pak mirëkuptim dhe marrëveshje.
Nëse jemi ne ata që flasim shumë në mëngjes
• Të bëjmë një pauzë të shkurtër para se të nisim bisedën, duke u dhënë të tjerëve hapësirë të zgjohen
• Të bëjmë pyetje në vend të monologut: “A të bën mirë të flasim tani apo të presim pak?”
• Të ngadalësojmë ritmin, duke bërë me vetëdije pauza të shkurtra ndërmjet fjalive
• T’u kushtojmë vëmendje sinjaleve joverbale: nëse personi tjetër hesht, shmang kontaktin ose duket i lodhur, me gjasë ka nevojë për qetësi
Nëse jetojmë ose punojmë me “llafazanë” të mëngjesit
• Ta vendosim qartë dhe qetë kufirin: “Më duhet pak qetësi derisa ta pi kafenë, pastaj flasim”
• Të bëjmë kompromis, duke caktuar kohën kur mund të nisë biseda
• Të mos e marrim personalisht nevojën e tyre për të folur: kjo nuk është presion ndaj nesh, por mënyra e tyre e funksionimit
• Të ofrojmë alternativë: një mesazh të shkurtër, një bisedë më vonë ose marrëveshje që temat e rëndësishme të lihen për më pas
Kur duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje
Nëse vërejmë se dikush:
• flet vazhdimisht shpejt dhe pa pauzë
• e përballon me vështirësi heshtjen
• më vonë pendohet për atë që ka thënë
mund të jetë se pas kësaj fshihet tension i shtuar ose stres. Atëherë është e rëndësishme të ngadalësohet ritmi dhe, sipas nevojës, të kërkohen mënyra për uljen e ankthit.
Mirëkuptim në vend të nervozimit
Ndoshta më e rëndësishmja është ta kuptojmë se njerëzit nuk e nisin ditën në të njëjtën mënyrë. Derisa disa kanë nevojë për heshtje që të mbledhin veten, të tjerëve u duhet biseda për t’u “vënë në lëvizje”.
Kur e pranojmë këtë, më lehtë gjejmë baraspeshë, si në komunikim, ashtu edhe në marrëdhënie. /Telegrafi/