Kosova u shndërrua në një pikë takimi të rëndësishëm për industrinë financiare, teksa edicioni i dytë i Kosova Finance Forum 2026 mblodhi në Prishtinë përfaqësues nga vendi, rajoni dhe Evropa.
Për dy ditë, forumi e vendosi vendin në hartën e diskutimeve mbi zhvillimin ekonomik, investimet dhe trendet e tregjeve financiare.
Fokusi kryesor i këtij edicioni ishte ndërtimi i besimit në tregjet financiare, një element thelbësor për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme.
Diskutimet u përqendruan në mënyrat se si institucionet dhe sektori privat mund të bashkëpunojnë për të rritur transparencën, përmirësuar qasjen në financa dhe për të nxitur investime afatgjata.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili theksoi rëndësinë e dialogut gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile.
Sipas tij, forume të tilla shërbejnë jo vetëm për shkëmbim përvojash me partnerë vendorë dhe rajonalë, por edhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Qëllimi jonë është po ashtu që të kemi mundësi që të shkëmbejmë pikëpamjen tona me shoqërinë civile, me organizatat profesionale, me publikun e gjerë, me sektorin privat dhe ky është një rast i rëndësishëm për neve po ashtu. Pra për ne pjesëmarrja e sotme, përveç që është në aspektin e nderimit të ngjarjes është po ashtu edhe në kuptimin e shkëmbimit të përvojave si me institucionet brenda vendit, ashtu edhe me partnerët tonë rajonalë”, ka thënë Ismaili.
Ai vuri në dukje se ndërmjetësimi financiar në Kosovë tashmë qëndron mbi mesataren rajonale dhe se sistemi aktual mbështet ekonominë vendore.
“Ndërmjetësimi financiar në Kosovë është mbi nivelin e rajonit, pra ne kemi një sektor financiar aktualisht që e mbështet ekonominë, mirëpo kur flasim për investime dhe veçanërisht për investime afatgjata gjithmonë ka mundësi që të ketë edhe instrumente shtesë për financim afatgjatë veçanërisht, dhe prandaj ka edhe nisma të reja, siç është nisma për tregun e kapitalit që do të jetë komplementar me sistemin aktual dhe qasja në financa për sektorin privat do të jetë më e rritur, jo se tani nuk është e mjaftueshme, por gjithmonë ekonomia është në rritje dhe kërkohet më shumë investime”, ka thënë Ismaili.
Nga ana tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë që lehtëson komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.
Ajo theksoi se organizime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e interesit të investitorëve ndërkombëtarë për Kosovën.
“E përshëndes se natyrisht edhe e kemi mbështetë si ministri e linjës. Gjithashtu inkurajojmë ende më shumë komunikim, se për shumë arsye të ndryshme ka biznese që mund të mos e vizitojnë Kosovën, por kur e marrin një ftesë nga organizatorët e forumit, kur e shohin mundësinë që të takojnë biznese tjera që në një vend t’i kenë bashkë, edhe financat, edhe teknologjinë ë informative, edhe përfaqësuesit shtetërorë e institucionalë, atëherë e kanë më të lehtë vendimin për të ardhur për të qenë në Prishtinë”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, pjesëmarrja e gjerë e përfaqësuesve institucionalë dhe organizatave ndërkombëtare – përfshirë aktorë nga rajoni dhe institucione si Banka Botërore – dëshmon për një mjedis gjithnjë e më të favorshëm për të bërë biznes në Kosovë dhe shërben si nxitje për investime të reja dhe bashkëpunime ndërkufitare.
“Prandaj, mu më gëzon fakti që është një konferencë me një numër të madh të vizitorëve. Edhe në nivelin institucional kemi ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, drejtorin e Sekretariatit të CEFTA-s, kryetarin e Strugës, përfaqësues tjerë institucional si Presidentin e Odës Ekonomike të Kosovës, edhe përfaqësues të organizatave multilaterale institucionale si AIF-sia, Banka Botërore e të tjera, të cilët e tregojnë rrethanat e të bërit biznes në Kosovë Vetë prezenca e tyre tregon mbështetje të mjedisit për biznes e natyrisht edhe inkurajon investime tjera shtesë dhe dhe bashkërendime në mes të bizneseve të vendit tonë dhe vendeve të rajonit”, theksoi ajo.
Ndërkaq, themeluesi i forumit, Astrit Panxha theksoi se edicioni i këtij viti shënon një hap drejt internacionalizimit të platformës.
Panxha nënvizoi se Kosova duhet të shihet në kontekstin rajonal dhe të forcojë bashkëpunimin me vendet fqinje për të arritur ndikim më të madh ekonomik
“Jemi duke e internacionalizu Kosova Finance Forum sepse për ta pasë impaktin e vet si duhet, duhet gjithmonë Kosovën ta shikojmë në kontekstin rajonal. Kosova nuk është ishull edhe nuk duhet të sillemi si në një ishull. Duhet të shikojmë të bashkëpunojmë me vendet e rajonit. Edhe deri sot kemi pasë një pjesëmarrje mbi 70-të folës që kanë ardhë në Kosovë, disa prej tyre për herë të parë edhe është shumë mirë që t’i presim mirë, të tregojmë çfarë potenciali ka Kosova dhe çka mund të bëjmë me Kosovën”.
Sipas tij, objektivat kryesore të forumit janë tre: promovimi i Kosovës si destinacion për biznes dhe investime, rrjetëzimi i profesionistëve dhe kompanive, si dhe krijimi i projekteve të përbashkëta që mund të gjenerojnë vlerë ekonomike në nivel rajonal.
Rezultati i parë është që ta promovojmë Kosovën në rajon, si një vend ku mund të bëhet biznes, ku ka potencial dhe ku mund të krijohet profit. Qëllimi i dytë është që të rrjetëzohen njerëzit. Njerëzit shkojnë në forume që takojnë partner potencial dhe e treta është që të krijojnë projekte të përbashkëta”, ka thënë Panxha”, tha ndër të tjera Panxha. /Telegrafi/