Megjithëse ShBA-ja krenohet me fuqinë superiore të zjarrit, aleanca mbetet në interesat e saj më të gjera ushtarake.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti Trump mund të ndihet i frustruar nga reagimi dukshëm i zhgënjyese që ka marrë nga aleatët e tij evropianë në konfliktin me Iranin. Por, hakmarrja duke tërhequr ShBA-në nga NATO-ja – siç sugjeroi se mund të bënte në një intervistë me The Telegraph – mund të rezultojë përfundimisht si mposhtje nga vetë ai në përpjekjet e tij për të rivendosur dominimin e Amerikës në çështjet botërore.
Askush nuk e vë seriozisht në dyshim pozitën e Amerikës si superfuqia e padiskutueshme ushtarake e botës. Vetë shkalla dhe gama e kapaciteteve ushtarake të përdorura kundër Iranit, gjatë muajit të kaluar, kanë treguar fuqinë dërrmuese të zjarrit që ShBA-ja mund të vendosë në fushën e betejës.
Pavarësisht përfundimit përfundimtar të konfliktit, tashmë është e qartë se Irani ka pësuar një humbje shkatërrimtare, e cila do të kufizojë rëndë ambiciet e Teheranit për të qenë forcë dominuese në Lindjen e Mesme në vitet që vijnë. Udhëheqësit botërorë nuk do të kenë më nevojë të shqetësohen për ambiciet bërthamore të Iranit, apo ndoshta edhe për mbështetjen e tij dashakeqe për grupet terroriste islamiste në mbarë botën.
Kushdo që do të drejtojë Iranin, pasi të përfundojnë armiqësitë – ndryshimi i regjimit mbetet mundësi e realizueshme – do ta ketë të vështirë të rindërtojë vendin e shkatërruar nga lufta, e lëre më të merret me plane madhështore për dominim rajonal.
Për këtë, udhëheqësit botërorë ia kanë borxh Trumpit një mirënjohje të madhe, pavarësisht se çfarë mendojnë për mënyrën se si administrata e tij ka vepruar për të neutralizuar kërcënimin që Irani ka paraqitur për sigurinë perëndimore – për katër dekada ose më shumë.
Ata duhet të jenë gjithashtu mirënjohës për mesazhin e qartë që Trumpi u ka dhënë fuqive të tjera armiqësore, si Rusia dhe Kina: se ata rrezikojnë nëse e nënvlerësojnë vendosmërinë e tij për të mbrojtur interesat e Amerikës.
Ka pasur një tendencë në Moskë dhe Pekin, që nga mandati i parë i Trumpit si president, për të menduar se Trumpi është vetëm i zhurmshëm kur bëhet fjalë për përdorimin e veprimeve ushtarake. Dyshoj se dikush në Rusi apo Kinë do ta thoshte këtë pas shkatërrimit të shkaktuar ndaj Iranit, një vend që supozohet të jetë aleat i afërt i të dyve, Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut.
Por, ndërsa Trumpi ka çdo të drejtë të çmojë arritjen e jashtëzakonshme ushtarake të realizuar nga ushtria amerikane dhe aleatët e saj izraelitë në luftën kundër ajatollahëve, do të ishte gabim për të nëse arrin në përfundimin se Amerika nuk ka më nevojë për aleatët e saj evropianë – edhe nëse kontributi i tyre në konflikt ka qenë më pak se mbresëlënës.
Nga mohimi i qasjes për aeroplanët luftarakë amerikanë në bazat e tyre, deri te mungesa e entuziazmit për mbrojtjen e interesave të tyre në Gjirin Persik, udhëheqësit evropianë nuk janë sjellë në mënyrën që pritet prej aleatëve të besueshëm.
Megjithatë, ruajtja e aleancës së NATO-s mbetet në interesat më të gjera ushtarake dhe ekonomike të Uashingtonit.
Si biznesmen, Trumpi të paktën do ta dijë rëndësinë e partneritetit tregtar transatlantik midis ShBA-së dhe Evropës, i cili përbën rreth një të tretën e tregtisë globale. Është shumë e dyshimtë nëse kjo marrëdhënie fitimprurëse do të mbijetonte nëse ShBA-ja do të tërhiqej nga NATO-ja, duke i nxitur kështu evropianët që të bëhen edhe më antiamerikanë në qëndrimet e veta.
Administrata Trump nuk duhet gjithashtu të shpërfillë kontributin e rëndësishëm që evropianët vazhdojnë të japin në aleancën e NATO-s, si në aspektin e kapaciteteve ushtarake ashtu edhe në mbledhjen e inteligjencës.
Nga perspektiva e Mbretërisë së Bashkuar, përfshirja e Britanisë në aleancën e ndarjes së inteligjencës Pesë Sy [Five Eyes], u siguron amerikanëve qasje në zona të botës që përndryshe do të ishin të vështira për t’u depërtuar. Dhe, ndërsa forca ushtarake e Evropës mbetet e pakrahasueshme me fuqinë superiore të zjarrit të Amerikës, ajo megjithatë mund të japë një kontribut të vlefshëm në mbrojtjen e Evropës kundër Rusisë, gjë që i lejon Uashingtonit të përqendrohet në prioritete të tjera, si Azia dhe Paqësori.
Para konfliktit me Iranin, duhet kujtuar se Evropa ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës së Trumpit se duhet bërë më shumë për të mbrojtur Arktikun nga Rusia dhe Kina, me Mbretërinë e Bashkuar që ofron të vendosë një aeroplanmbajtëse në rajon – më vonë këtë vit, si pjesë e një misioni të NATO-s për të rritur sigurinë.
Megjithatë, udhëheqësit evropianë ende duhet të bëjnë shumë më shumë nëse duan të bindin Administratën Trump se është ende në interesat më të gjera të Uashingtonit që të ruajë anëtarësimin në NATO.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për Britaninë, një vend që dikur konsiderohej si aleati më i rëndësishëm i Amerikës në Evropë, por që, tani, falë më shumë se një dekade shkurtimesh drastike në mbrojtje, rrezikon të bëhet ushtarakisht e parëndësishme. Siç e bëri të qartë presidenti në komentet e tij të ashpra për The Telegraph, ai ka një vlerësim veçanërisht të ulët për kapacitetet luftarake të Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht për Marinën Mbretërore dhe dy aeroplanmbajtëset e saj të reja prej gjashtë miliardë paundësh [6.9 miliardë euro], për të cilat ai pretendoi se “nuk funksiononin”.
Ndërsa administratat e mëparshme konservatore meritojnë një pjesë të fajit për gjendjen e mjerueshme të Forcave tona të Armatosura, Keir Starmer nuk e ka ndihmuar situatën duke këmbëngulur vazhdimisht se po rrit shpenzimet për mbrojtjen, por pa siguruar në të vërtetë një financim shtesë.
Kur qeveria deklaron se riparimi i gropave në rrugë duhet të përfshihet në shpenzimet e ardhshme të mbrojtjes – me arsyetimin se rrugët funksionale janë të nevojshme për lëvizjen e pajisjeve ushtarake – është e qartë se Kryeministria nuk ka interes të vërtetë për të përmirësuar fuqinë e Forcave tona të Armatosura.
Dhe, për sa kohë që kjo gjendje mbetet kështu, udhëheqësit e Evropës do ta kenë të vështirë të kundërshtojnë argumentin e Trumpit se kontingjenti evropian i NATO-s nuk është gjë tjetër veçse një “tigër prej letre”. /Telegrafi/