Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Qeveria e fillojnë fushatën e re në terren “Zëri që e dëgjojmë – më e mira e Maqedonisë”, që synon komunikim të drejtpërdrejtë me bujqit dhe prezantimin e masave dhe politikave aktuale për mbështetjen e prodhimit bujqësor. Këtë e paralajmëroi sot ministri Cvetan Tripunovski.
Në kuadër të fushatës, dy ekipe të mëdha të vizitojnë më shumë se 30 komuna në Republikën e Maqedonisë, ndërsa 6 ekipe më të vogla do të vizitojnë mbi 120 vendbanime. Këto takime do të mbahen çdo të mërkurë dhe të shtunë nga ekipet e mëdha, ndërsa të premteve do të organizohen takime të drejtpërdrejta në vendbanime nga ekipet më të vogla.
Drejtorë nga të gjitha institucionet në sektorin bujqësor do të jenë pjesë e ekipeve. Ministri paralajmëroi se në ekipet e vogla do të marrin pjesë drejtorë të institucioneve kyçe, Daniela Irotova, drejtoreshë e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR), Filip Filipovski, drejtor i SH.A. “Ekonomia e Ujërave”, Vase Anakiev, drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Oliver Milanov, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zdravko Trajanov, drejtor i NP “Pyjet Nacionale”.
Një nga ekipet do të drejtohet nga Ministri, duke sqaruar se në aktivitetet do të përfshihen edhe drejtorë të tjerë nga sektori, si dhe struktura lokale të Ministrisë.
Qëllimi, sipas tij, është të dëgjohen sfidat dhe idetë e bujqve. Në takime do të diskutohen problemet aktuale me të cilat përballen bujqit, propozimet e tyre për përmirësimin e prodhimit, si dhe masat dhe politikat e zbatuara deri më tani në dy vitet e fundit.
“Në këto takime do të diskutohet për sfidat reale me të cilat përballen bujqit e vendit, do të dëgjohen propozimet dhe idetë e tyre, por gjithashtu do të prezantohen politikat dhe masat për mbështetjen e bujqësisë vendase”, theksoi ministri.
Ai theksoi se bujqit kanë një rol thelbësor për shtetin dhe se ata nuk janë vetëm prodhues, por janë edhe shtytës të zhvillimit rural, ruajtës të traditës dhe faktor kyç për stabilitetin e tregut vendas të ushqimit.
Ministri u bëri thirrje bujqve që të marrin pjesë aktive në fushatë.
“Ju ftoj të gjithëve të përfshiheni dhe të bëheni pjesë e kësaj fushate të përbashkët “Zëri që e dëgjojmë – më e mira e Maqedonisë”, që së bashku të krijojmë kushte më të mira dhe një të ardhme më të sigurt për bujqësinë e Maqedonisë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Tripunovski përsëriti se “më e mira nga Maqedonia vjen pikërisht nga arat e vendit tonë dhe nga duart e palodhura të bujqve tanë të ndershëm dhe punëtorë. Prandaj kjo fushatë u kushtohet pikërisht atyre, njerëzve që ushqejnë popullin dhe ruajnë traditën.