Peshën e sasisë së arit që do të tërhiqej nga Vilajeti Krra-Krra, Padishahu donte ta mbante sekret të sekretit vetëm për veti, por kishte harruar se këtë e dinte mirë Myftiu i qytetit të Mustafë Agës.
– Qerrtarët më të mirë që janë dalluar në kryeqytet, do të ndërtojnë trembëdhjetë qerre të bukura transporti mallrash që nuk janë parë më herët në gjithë perandorinë. Qerret do të latohen bukur dhe duhet të jenë aq të ngjashme sa të mos dallohen as për vizën më të hollë të latimit të drurit të çdo pjese nga njëra tjetra – mendonte vetë Lartmadhëria.
Ato do ti dallonte vetëm Padishahu sapo të jenë gati për transport. Ai ia kishte vendosur kusht vetvetes se cilido nga qerret i ndërron dikush vendin e radhës do ta dallonte vet. Vetëm njëri nga qerret do të ngarkohej me barrë sekrete të dyfishtë. Atë ditë që ishte nisur karvani, ai i kishte numëruar qerret me rend. Vetëm atë ditë që kishte pësuar dëmtim qerrja e parë e karvanit dhe ishte rrokullisur në lumë, Padishahu sapo kishte marr lajmin kishte dyshuar në mos i ka numëruar qerret jo nga i pari, por nga i fundit. Kishte rënë në dert padishahu, a i ishte numër trembëdhjetë qerrja e parë e karvanit apo e fundit? Sa për peshën e barrës sekrete nuk i kishte shkuar mendja as padishahut e asnjërit nga qerrtarët më të spikatur që njihte dovleti.
Peshën e arit, Lartmadhëria kishte menduar ta mbaj sekret vetëm për veti. Realisht qerrja që do të kishte barrë dhjetëfish më të rëndë do duhej të ishte dhjetë herë me e fortë se të tjerat. Padishahu pikërisht këtu kishte gabuar. Ai donte që asnjëra nga trembëdhjetë qerret të mos dallohet nga tjetra më asgjë, por pesha e e kishte tradhtuar. Qerres së trembëdhjetë ju kishte këputur boshti i parë sapo ishin larguar nga shehri i Mustafë Agës, pikërisht në luginën mes bjeshkëve shkëmbore, aty ku bashkohen dy lumenjtë më të rrëmbyeshëm të Vilajetit.
Megjithëse supozohej se myftiu i Kazasë ishte i vetmi që njoftohej për çdo transport sekret, kjo nuk ishte konfirmuar kurrë.
Shërbimi sekret i dovletit kishte humbur plotësisht besimin e Lartmadhërisë. Padishahu moti kishte filluar të formonte shërbim tjetër sekret përbrenda shërbimit ekzistues. Pëshpëritej se përbrenda shërbimit që kishte formuar padishahu ekzistonte edhe shërbimit tjetër sekret, i shkallës së tretë. Ishin dhjetëfishuar dënimet me varje për aq shumë vepra sa më nuk dihej se kush për cilën vepër dënohej aq lehtë me vdekje në litar, Koha prej kur sulltani kishte filluar të merrte informata të sakta, mund të matej fare lehtë, po të dinte dikush sa myfti janë zhdukur.
Çdo zbulim sekreti zakonisht e paguante me kokë myftiu. Në të shumtën e rasteve askush nuk kuptonte kurrë se çfarë sekreti mund të ketë zbuluar një myfti i zhdukur.
Lartmadhëria po numëronte sekretet e Perandorisë. Ato ishin shumëzuar aq shumë sa vet shërbimi nuk dinte deri ku shtrihej veprimtaria e tij. Më nuk dallohej çka mund të jetë sekret e çka jo. Në këtë gjendje shërbimi kishte humbur besimin edhe përbrenda vetës. Shërbimi sekret i dovletit, grada sekrete, qerrtarët sekret, qerret sekrete, dokumentet sekrete, ari sekret, bunkeri sekret i arit, depot e armëve sekrete… Edhe numrin trembëdhjetë që ju kishte bërë fiksim Padishahut, ai e numëronte sekret..? Të gjitha lajmet që vinin nga fronti i luftës ishin sekret?!
Padishahu pinte kafen e mëngjesit çdo herë i shoqëruar me komentuesin e ëndrrave. Numrin trembëdhjetë nuk e largonte nga mendja as në gjumë. Për frikën që e kishte kapluar nga numri trembëdhjetë nuk i kishte treguar askujt. Ditën që ishte nisur karvani i qerreve për transportin e dyfishtë sekret, atë e kishte kapluar paniku, duke menduar për numrin e qerreve. Aksidenti që kishte pësuar qerrja e parë e karvanit e kishte tronditur më keq se çdo disfatë në front. Para së të nisej karvani, ai kishte numëruar trembëdhjetë qerre me kuaj. Ky fakt ju kishte bërë sëmundje.
Sapo ishin ngarkuar karrocat për tu kthyer në kryeqytet, qerrja e parë kishte pësuar dëmtim të rëndë dhe kishte përfunduar në lumë. Padishahut nuk i hiqej nga mendja numërimi i qerreve dhe numri trembëdhjetë. Ai kishte numëruar qerret kur janë nisur për udhë. Karvani me dy ngarkesa sekrete kishte pësuar dëmtim të rendë dhe ishte rrokullisur në lumë sapo ishte larguar nga shehri i Mustafë Agës. Dhe pikërisht në lumë kishte rënë qerrja e parë e karvanit. Sa e shqetësonte ky fakt Padishahun, ai dyshonte në mos i ka numëruar qerret nga bishti apo nga koka e karvanit?! Sekreti qëndronte në qerren e cila duhej të mbante numrin sekret trembëdhjetë, jo të shkruar diku, përveç në kokën e Padishahut.
Padishahun nuk e interesonte asnjëherë sa veta e paguajnë me kokë një aksion luftarak apo një transport sekret. Detyra duhej të kryhej me çdo çmim.
Brengë mbi brengë për padishahun ishte bërë tërheqja e rezervave të arit.
Sa konsiderohej sekret zbrazja e arkivit të kadastrit, dhjetë fish më sekret vlerësohej tërheqja e arit, para së të bëhej vonë.
Tërheqjen e rezervave të arit, Sulltani e vlerësonte më rrezik më të madh se zbrazjen e depove të armëve dhe barotit.
Derisa zbrazja e arkivit të kadastrit që kuptuar nga vetë punonjësit e gjorë, dy ditë më vonë, për sekretin e dyfishtë të barrës që kishte ngarkuar karvani me trembëdhjetë qerre kuajsh, në Vilajet nuk dinte askush, përveç Myftiut të shehrit të Mustafë Agës. .
Padishahu kishte menduar gjatë për të përdorë tjetër mënyrë të sigurisë se karvanëve që transportonin barrë sekrete. Ai kishte vendosur që me të njëjtin karvan karrocash të transportonte dy barrë sekrete.
Kishte humbur plotësisht besimin në shërbimin sekret të Perandorisë. Ishte dëshpëruar aq shumë herë nga dështimet e mashtrimet e shërbimit më të paguar të shtetit, sa që më nuk po i besonte fare.
Pastaj kishte menduar gjatë se cilët njerëz mund të jenë më besnik ndaj Lartmadhërisë? Kishte vendosur që kësaj radhe të provonte qerrtarët më të dalluar. Ata do ti paguante të ndërtonin qerre të reja të modelit më të ri të kohës dhe vetë ata do të ngarkonin dhe shkarkonin arin, pa kuptuar njeri tjetër i gjallë. Lajmet nga fronti ishin bërë të frikshme. Në qendrat kryesore të vilajeteve, me dekada ishin grumbulluar sasi të mëdha ari. Lufta po i afrohej kryeqytetit. Ari duhet të vendoset në bunkerët sekret, mendonte ai. E frikësonte edhe vetveten duke menduar se rezervat e arit mund të plaçkiteshin para se shërbimi ti tërhiqte ato. Nëse ari nuk tërhiqet me kohë, rrezikohet vetë ekzistenca e Perandorisë, mendonte ai.
Po që se kupton mileti këtë veprim, mund të ketë trazira të mëdha që nuk do mund të kontrollohen.
Karvani me trembëdhjetë qerre të reja kuajsh, të ndërtuara enkas për transport sekret të dyfishtë, ishte gati. Vetëm ata që i kishin ndërtuar ato qerre e dinin nivelin kritik që kishte arritur frika e Padishahut nga dështimi eventual.
Për këso lëvizjesh sekrete dinin vetëm myftibashet, të cilët i përgjigjeshin drejtpërdrejt Padishahut. Ata e dinin mirë se akoma pa u kthye karvani në kryeqytet, fati i tyre është i vulosur.
***
Dymbëdhjetë qerre kishin arritur në kryeqytet të padëmtuara dhe kishin shkarkuar dokumentet në bodrumet e sigurta, por barra e dytë sekrete duhej të shkarkohej krejt diku tjetër. Barrën sekrete mund ta shkarkonin vetëm ata që e kanë ngarkuar. Megjithëse, padishahu kishte menduar likuidimin e fshehtë të gjithë atyre mjeshtërve që kishin ndërtuar qerret e posaçme, kishte hequr dorë pikërisht në çastin kur kishte kuptuar aksidentin e qerres së parë, të cilën ne mendjen e tij e kishte pikasur me numrin fatal trembëdhjetë, për të cilin nuk duhej ta dinte askush pos tij. Ata mjeshtër mund të me duhen serish për punë edhe më të rrezikshme, po mendonte ai.
***
Gjithë shoqëruesit e karvanit dinin vendin ku qerrja e parë ishte rrokullisur në lumë. Vetëm njëri prej tyre u caktua ti printe skuadrës tjetër që dërgohej për të nxjerrë qerren nga lumi.
Mund të kuptoj mileti gjithçka për nxjerrjen e karrocës, por jo për barrën e dyfishtë sekrete që kishte brenda, mendonte padishahu.
Aty në vorbullën vdekjeprurëse ku bashkohen dy lumenjtë më të rrëmbyeshëm të Vilajetit Krra-Krra, kishte përfunduar rrugëtimin karroca e parë e karvanit, e cila do kthehej e demontuar, por pa munguar asnjë metelik ari.
Padishahut nuk i hiqej nga mendja numri trembëdhjetë i qerres, por nuk kuptoi për së gjalli, a kishte numëruar qerret e karvanit nga koka apo nga bishti.
Gjithë fajin ja hidhte vetës për dëmtimin e qerres së parë të karvanit. Nuk e kuptoi kurrë se boshti i qerres ishte këputur nga pesha e madhe, e jo nga besëtytnitë në të cilat besonte ai.
Aq fort që besonte në besëtytni, sa herë i binte ndërmend numri trembëdhjetë, qeshte me zë me vetveten sikur një i marrë.
Pesha e arit në karrocën e parë që ishte dëmtuar në rrugë dhe ishte rrokullisur në lumë, kishte qenë dhjetë fish më e rëndë se pesha që kishin karrocat tjera ngarkuar me dokumente të kadastrale. Pikërisht për shkak të peshës boshti kryesor që bashkonte dy rrotat e para të karrocës ishte këputur në mes.
Pjesëtarët e ekspeditës për nxjerrjen e karrocës nga lumi, kishin arritur në Shehrin e Mustafë Agës. Kishin takuar Myftiun e ri të qytetit. Për arin sekret që gjendej brenda qerres nuk dinte askush nga ekspedita.
Myftiu i emëruar rishtas dinte për gjithçka që ka ndodhur. Dinte ai edhe për qerret e posaçme të ndërtuara për këtë qellim. Dinte Myftiu edhe për fatin e pararendësit të tij, Ai ishte i vetëdijshëm se as heshtja e tij nuk e shpëton dot nëse do ketë edhe ndonjë transport tjetër sekret. Ai dinte për ndonjë transport sekret sa herë që dëgjohej ndonjë lajm për zhdukjen e një myftiu.
Pas pushimit njëditor në Shehrin e Mustafë Agës Ekspedita ishte drejtuar në vendin ku ishte fundosur karroca dhe aty kishte ngritur çadrat për qëndrim të përkohshëm.
Rrymimet e ujit aty ku bashkoheshin dy lumenjtë më të mëdhenj e më të rrëmbyeshëm të Vilajetit, ishin të rrezikshme. .
Për tri ditë askush nga tre zhytësit më të mirë nuk preku ndonjë pjesë eventuale te qerres së dëmtuar e të fundosur. Ditën e katërt, dy rrotat e para të qerres i gjetën tutje lumit, fare afër bregut. Kushtet për përdorimin e mjeteve ndihmëse ishin të tmerrshme. Aty afër nuk mund të afrohej lehtë as njeriu e lere më kafshët tërheqëse të kohës.
Skuadra vendosi që para se ta nxirrte pjesën e parë të qerres të gjente edhe pjesën e dytë, me dy rrotat tjera.
Pa gjetur akoma pjesën e dytë, lajmi i kishte shkuar Padishahut.
Pa një pa dy, ai kishte urdhëruar dërgimin e treshes së përgatitur me mision tjetër. Padishahu mendonte të mos lejonte të plaçkitët asgjë nga ngarkesa. Kishte menduar çdo mundësi të zbulimit dhe kishte përgatitur çdo masë të mundshme për të penguar plaçkitjen eventuale edhe zbulimin e krejt ekspeditës që rrezikonte stabilitetit e tërë Perandorisë.
Mund të plaçkitet ari, por nëse zbulohet qëllimi i transportimit drejt kryeqytetit, miletin mund ta kaploi paniku.
Pas vetëm dy javësh qerrja e kompletuar u nxor nga lumi me çdo pjesë dhe vetëm pritej të transportohej drejt kryeqytetit.
Padishahu ftoi një nga një gjithë ata që morën pjesë në ekspeditë. Para se të paguante secilin, i pyeti në mos kanë dëgjuar ndonjë thashetheme për ngjarjen? Ata i treguan se nuk kishte diçka të re në shehrin e Mustafë Agës. Kishin dëgjuar vetëm për zhdukjen e Myftiut pa ndonjë gjurmë.
Padishahu nuk po bëhej rehat në mos dikush gjatë nxjerrjes së qerres ka gjetur ndonjë monedhë ari që mund ti ketë rënë dikujt kur qerrja kishte marrë teposhtezen.
Edhe zhytësi i cili kishte gjetur një zinxhir ari në fund të lumit, e kishte nxjerrë nga xhepi dhe ia kishte dorëzuar Padishahut.
-Lartmadhëri?! – kishte folur ai.
– Këtë zinxhir e kam gjetur aty bashkë me rrotat e para të qerres, në fund të lumit.
Padishahu ishte bindur se gjithçka ka shkuar sipas planit. Nxori dhjetë lira ari dhe shpërbleu zhytësin për besnikëri ndaj dovletit.