Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka marrë pjesë më 19 shkurt në një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj një të pandehuri për organizimin e luftërave me qen. Fondacioni thekson se ndjek me përkushtim këto procese, pasi kafshët duhet të kenë zë dhe përfaqësim në sallën e gjyqit.
Sipas njoftimit, edhe pse i pandehuri pretendoi se qentë “rastësisht” ishin kapur mes vete, provat e prezantuara treguan të kundërtën. Rasti u rikualifikua si keqtrajtim i kafshëve, duke u bazuar në faktin se çdo veprim ose mosveprim që shkakton dhimbje dhe vuajtje të panevojshme kafshëve përbën vepër penale.
Fondacioni ka theksuar shqetësimin e veçantë për faktin se përleshja mes qenve ishte incizuar nga djali i mitur i të pandehurit. “Fëmijët që rriten duke parë dhunë ndaj kafshëve rrezikojnë ta normalizojnë atë”, thuhet në njoftim. Fondacioni lidhi këtë fenomen me studime ndërkombëtare dhe raportin “Profili Gjinor i Kosovës” të UN Women, sipas të cilit 54% e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë nga një partner intim që nga mosha 15 vjeçare.
Në lidhje me rëndësinë e trajtimit të këtyre rasteve, Fondacioni thekson se mizoria ndaj kafshëve mund të lidhet me dhunë ndaj njerëzve, duke nxjerrë në pah nevojën për masa institucionale të koordinuara.
Fondacioni ka njoftuar se do t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të përfshirë këtë ndërlidhje në politikat dhe praktikat institucionale dhe do të organizojë punëtori për organet ligjzbatuese për forcimin e kapaciteteve në trajtimin e krimeve ndaj kafshëve.
“Mbrojtja e kafshëve nuk ka të bëjë vetëm me mirëqenien e tyre, por edhe me një investim në një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftim.
Lexoni artikullin e plotë këtu: Link. /Telegrafi/