Një analizë që depërton përtej dritave dhe skenës, duke trajtuar realitetin e funksionimit, përgjegjësisë dhe ndikimit shoqëror. Mes entuziazmit masiv dhe përfitimeve të prekshme, shtrohen pyetje thelbësore mbi menaxhimin, etikën publike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë
Behare Bajraktari,
gazetare & publiciste
Sunny Hill Festival është shndërruar në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Kosovë dhe rajon, duke sjellë energji rinore, muzikë botërore dhe një ndikim të dukshëm ekonomik e mediatik për vendin. Megjithatë, përtej spektaklit dhe suksesit të madh, ky festival meriton të analizohet edhe në detaje, aty ku dalin në pah sfidat reale të organizimit: ndikimi mjedisor, prania e të miturve në orë të vona, funksionimi i transportit, abuzimet me çmime, si dhe menaxhimi i fluksit të madh të vizitorëve. Kjo pjesë synon të ofrojë një pasqyrë të plotë dhe të ndershme të Sunny Hill Festivalit, duke vënë në peshore si arritjet e mëdha, ashtu edhe mangësitë që duhet të adresohen për ta bërë këtë ngjarje edhe më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më dinjitoze për publikun dhe imazhin e Kosovës.
Sunny Hill Festival, pas skenës, suksesit, sfidave dhe përgjegjësisë
Vetë Festivali dhe organizimi është shumë i bukur, por aspekti mjedisor do të duhej të ishte prioritet, duke u bazuar edhe në lokacionin ku organizohet – përballë tymtarëve. Megjithatë, kjo është një mundësi e madhe që, ashtu siç ka filluar të ndërtojë praktika të mira ndaj mjedisit, të përqendrohet në uljen e ndikimit ekologjik, gjelbërimin afatgjatë, edukimin e vizitorëve dhe partneritetet me organizata mjedisore. Duke qenë se SHF ka filluar praktika të mira, do të ndihmonte shumë në informimin dhe edukimin e të rinjve, nxitjen e riciklimit dhe uljen e mbeturinave, si dhe edukimin e publikut për konsum të përgjegjshëm dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Ndotja nga pluhuri
Natë e ditë, ecja rreth e rrotull dhe anasjelltas brenda hapësirës së festivalit nga pjesëmarrësit ka shkelur çdo fije bari, çdo fije gjelbërimi. Për shkak të atij numri të madh të pjesëmarrësve ishte ngritur pluhur si hi, që ishte poshtë nën këmbët tona. Ndotja ishte shumë e madhe, sidomos në mbrëmje. Ndotje e cila ka ndikuar në frymëmarrje më shumë se çkado tjetër, shtoja këtu që jo larg, në vijë ajrore, qëndrojnë tymtarët e KEK-ut. Prandaj, për herë të tjera do të duhej të kishte më shumë bar të mbjellë, së pari që njerëzit të kenë ku të ulen dhe, së dyti, të ulet niveli i ndotjes që me shumë siguri ka sjellë pasoja te njerëzit me gjithë atë pluhur qymyri dhe pluhur dheu. Por ngritja në ajër e pluhurit dhe grimcave të ndotjes do të ndikojë për keq edhe te vetë këngëtarët dhe zëri i tyre. Megjithatë, këto grimca organizative nuk e zbehin aspak madhështinë e festivalit.
Mosha e mitur gjatë natës në festival
Interesimi i moshave të reja është shumë i madh për festivalin dhe do të duhej të kishte masa më të rrepta për lejimin e të miturve në festival për moshat nën 16 vjeç. Ka pasur shumë fëmijë, madje edhe 10-vjeçarë, që janë parë në festival deri në orët e vona të natës. Sigurisht, përgjegjësia së pari u bie prindërve, pastaj policisë, të cilët kanë qenë në hyrje të festivalit, dhe më pas sigurimit të festivalit që i ka lejuar të miturit, mbase këta vogëlushë u janë përvjedhur prindërve?!
Sunny Hill, Foto: Behare Bajraktari
Festival pa incidente
Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të pjesëmarrësve të moshave të ndryshme, por kryesisht të rinj, nuk ka ndodhur ndonjë incident që ka ndikuar në mbarëvajtje, përveç disa rasteve kur janë parë disa të rinj që shoqëroheshin nga policia për ndonjë delikt të vogël. Por festivali si organizim është vërtet për t’u duartrokitur për mbarëvajtjen dhe sigurinë e përgjithshme për të gjithë.
Taksistët si ‘hudini’
Profiterët pa arkë fiskale dhe në mënyrën më brutale kanë qenë robin hudët e festivalit. Kur Dua e ka kënduar këngën e famshme “Hudini”, e ka pasur fjalën në mënyrë metaforike se ai po ia vjedh zemrën dhe dashurinë dhe kjo ikën e vjen shpejt si Hudini, por siç duket taksistët e Prishtinës, në mënyrë publike, i kanë shpëlarë mirë xhepat e mysafirëve, vizitorëve, turistëve si hudini. Me çmime marramendëse dhe sa në mënyrë tinzare aq edhe publike, duke shfrytëzuar dështimin e trafikut të organizuar përmes komunës.
Transporti i paorganizuar
Transporti i paraparë si i organizuar ka funksionuar në mënyrë të çrregullt. Me nisje të vonuara, sidomos natën e parë të festivalit, oraret ndërmjet nisjeve po ashtu të stërvonuara, të paorganizuara, duke e ditur fluksin e madh të të interesuarve, sidomos për natën e parë kur këndonte Dua Lipa. Edhe pse shumica kanë përdorur transportin e organizuar me autobus, një pjesë e tyre janë bllokuar në trafik pa pasur mundësi ta përcjellin koncertin e Dua Lipës, sepse ka qenë një bllokadë totale natën e parë dhe një dështim i përmasave të mëdha në këtë aspekt.
Për më shumë se 2-3 orë të ngecur në trafik në autobusë, ku ka pasur prej tyre pa ajër të kondicionuar, madje ka pasur prej tyre që e kanë lëshuar nxehjen në ato temperatura të larta të gushtit, kjo do të duhej të hetohej pse disa shoferë të autobusëve i kanë lëshuar nxehëset. Transporti i natës së parë, në veçanti, ka dështuar, shtoja këtu edhe bllokada e krijuar prej veturave private të fansave.
Asgjë nuk ka qenë nisja, se çfarë situate e rënduar ka qenë kthimi nga festivali për në Prishtinë. Turma të tëra në orën 4-5 të mëngjesit prisnin për të hipur në autobus, ndërsa nga turmat e mëdha që shtynin për të nxituar drejt autobusëve që vinin me vonesë, kishin menduar se janë duke lëvizur në linjat e rregullta të Prishtinës dhe duhet të vijnë çdo 20 minuta. Vonesat kanë qenë të mëdha për shkak të trafikut të rënduar në atë pjesë të Prishtinës.
Momente qesharake dhe gazmore
Përveç turmave që shtynin dhe ballafaqimit me policë të nervozuar, të cilët bërtisnin: “Shtyjuni, shtyjuni!”, dhe njëri në një moment tha “Ngrehuni”, njerëzit e shikuan njëri-tjetrin: ku të ngrehemi, ku të shkojmë? Ishte një prej momenteve sa gazmore aq edhe qesharake, kur bërtiti me zë dhe tha “Ngrehuni”.
Disa momente qesharake ishin kur autobusi ecte ngadalë dhe nuk i hapte dyert edhe kur kishte shumë shi, sidomos natën e tretë; turma e njerëzve ecte bashkë me autobusin duke pritur se kur do t’i hapte dyert dhe aty fillonte ai momenti si ata demat në Spanjë, kur të shtyjnë dhe e pëson edhe me ndonjë bri mbrapa. Pastaj ka qenë edhe një moment tjetër i sikletshëm, kur turma i shtypte dhe shtynte ata që ishin ngjitur me autobusin; pra aq e madhe ka qenë dyndja e njerëzve sa që njerëzit janë lëpitur për dyer të autobusit sikur Tomy dhe Jarry kur e përplasin njëri-tjetrin në dyer dhe u mbetet fytyra e lëpitur për xhami. Dikur shoferi e hapi derën, ndërsa vrapohej me nxitim për gjetjen e një vendi në autobus, si për mbijetesë.
Situata më e papëlqyeshme ishte nata e tretë, në ato orët e mëngjesit me shi të ftohtë; shoferi nuk e hapte derën, duke treguar me dorë se vetëm 2-3 metra më tutje veç ka të drejtë ta ndalë, por jo aty ku ishte grumbulli i njerëzve të mbledhur sikur milingona. Ndërsa ai lëvizte, turma e rrethonte autobusin sikur bletët kosheren dhe lëviznin bashkë me të.
Por pastaj, ashtu të lagur sikur pula, njerëzit hipnin në bus dhe qeshnin për ato veprime sa qesharake aq edhe gazmore. Thonin: Sunny Hill na lagu.
Sunny Hill, Foto: Behare Bajraktari
Çmimet e biletave
Për njerëzit që thonin se biletat e Sunny Hill Festival janë të larta dhe s’mund t’i përballojnë të rinjtë e Kosovës. Po pse nuk duhet thënë kjo?
Së pari, nëse biletën e blen shumë herët, ajo nuk kushton as 100 euro. Të rinjtë duhet të nxiten dhe të motivohen të punojnë që t’i fitojnë paratë e veta dhe ta blejnë biletën për vitin e ardhshëm. Një biletë për 3 ditë dhe 3 net me një festival ku merr përvoja sociale dhe kulturore me rininë e botës nuk është e shtrenjtë; i shtrenjtë është vetëm mendimi se të rinjtë duhet të trajtohen si raste sociale.
Nëse nuk munden ndryshe, mund të kursejnë çdo ditë nga një euro dhe për 100 ditë kursehen 100 euro – bileta për Sunny Hill Festival.
Ndikimi ekonomik
Festivali Sunny Hill, një nga festivalet më të mëdha në rajon, vlerësohet edhe për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në forcimin e imazhit pozitiv të Kosovës në nivel ndërkombëtar, përmes muzikës dhe industrisë kreative.
Përveç vlerës artistike dhe kulturore, Sunny Hill Festival ka pasur edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Organizimi i festivalit ka gjeneruar përfitime të konsiderueshme për sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin, hotelerinë, gastronominë, transportin dhe shërbimet mbështetëse.
Ndikimi ekonomik është vlerësuar të jetë rreth 22 milionë euro, ndërsa ndikimi në media vlerësohet në qindra miliona euro, me mbi 150 media të akredituara nga e mbarë bota.
Edicioni i vitit 2025 ka mbledhur mbi 100 mijë vizitorë gjatë tri ditëve të festivalit, nga afro 60 vende të ndryshme të botës. Hotelet në Prishtinë dhe në qytetet përreth kanë qenë 99% të rezervuara. Organizatorët këtë vit po ashtu kanë lansuar edhe platformën “Sunny Hill Travel”, e cila promovon turizmin dhe qëndrimin në Kosovë, ndërsa gjatë festivalit përdoruesit e saj kanë mundur të përfitojnë nga pakot e akomodimit, të cilat përfshijnë edhe biletat dhe transportin.
Festivali Sunny Hill është shpërblyer nga Oda Ekonomike e Kosovës me Çmimin për Impakt Ekonomik 2025, në kuadër të gala-mbrëmjes “The Best of Kosova 2025”.
Festivali po ashtu është nominuar për t’u zgjedhur si më i miri në Evropë, në kategorinë e Festivaleve të Mesme, nga “European Festival Awards”. Vitin e kaluar, në të njëjtën kategori, arriti të renditet në mesin e pesë festivaleve më të mira.
Sunny Hill, Foto: Behare Bajraktari
Çfarë mund të bëjë më shumë Sunny Hill Festival?
Sunny Hill Festival si industri kreative, përveç ndikimit në muzikë dhe në njerëz, ka një ndikim edhe në mjedis dhe natyrë, prandaj me praktikat e deritanishme dhe ato që mund t’i ndërmarrë janë:
1. Dua Lipa: Ylli botëror do të kishte një ndikim të pallogaritshëm te popullata dhe te vetëdijesimi, në veçanti i të rinjve në Kosovë, për aspektet mjedisore, sidomos për përdorimin e ujit dhe të energjisë. Në këtë rast Dua do të bënte diçka të madhe në interes të publikut, së pari duke vetëdijesuar qytetarët dhe së dyti duke e ndryshuar për të mirë përgjithmonë.
2. Udhëzues për fansat: SHF mund ta shfrytëzojë mundësinë e artë për edukimin e pjesëmarrësve dhe artistëve mbi ndikimin ekologjik. Me ardhjen e vizitorëve dhe koncentrimin e tyre në një lokacion të caktuar, sigurisht që ndikimi në mjedis është mjaft i lartë, prandaj publikimi i një udhëzuesi ekologjik “Eco friendly” do të ishte fantastik për mjedisin dhe natyrën e Kosovës për fansat/vizitorët, si dhe do të vendosej një standard dhe model i ri.
3. Gazetaria e Gjelbër: SHF lehtësisht mund të bëhej një prej festivaleve më unike në këtë aspekt, duke përfshirë komponentin e Gazetarisë së Gjelbër për të ndikuar në mjedis në aspekt kombëtar, jo vetëm për të promovuar muzikën, artistët dhe vendin, por për të ndikuar në zgjidhje inovative, ekologjike dhe për të rritur ekonominë e vendit.
4. Ndotja nga pluhuri: Ndotja nga pluhuri në edicionin e 2026 do të duhej të ulej dhe të krijoheshin kushte të reja të shëndetit publik, siç është mbjellja ose riparimi i barit dhe gjelbërimit në hapësirat ku lëvizin vizitorët në lokacionin e SHF. Sipërfaqet e mbuluara me bar natyror ose gjethe të copëtuara (mulç) ndihmojnë në kapjen e pluhurit. Në zonat me tokë të zhveshur, përdorimi i matriksave anti-pluhur ose shtresave mbrojtëse (p.sh. rërë e kompaktuar ose materiale biologjike) redukton ngritjen e grimcave. Në zonë me pjesëmarrje të mijëra njerëzve, ngritja e pluhurit të madh mund të shkaktojë edhe probleme shëndetësore, në veçanti për ata që janë të ndjeshëm ndaj ndotjes dhe grimcave të pluhurit P10/P2.5.
5. Burimet ujore: Kosova ndodhet në një nivel shqetësues për burimet ujore, prandaj me fuqinë që e ka SHF mund të përdorë teknologjitë për Sistemin e ujit të shiut për të mbledhur dhe ruajtur shiun dhe ta përdorë atë për nevojat e festivalit. SHF do të nxiste politikat dhe veprimet për mbrojtjen e resurseve ujore, restaurimin e ekosistemeve natyrore dhe aktivitete për biodiversitet deri në 2030, si pjesë e strategjisë mjedisore “Udhëzuesi i Gjelbër Evropian 2030” për festivalet.
6. Energjia: SHF mund të krijonte praktika të qëndrueshme edhe sa i përket energjisë, duke qenë se Kosova ka një moment të pavolitshëm energjetik, p.sh. bateritë dhe sistemet e ruajtjes së energjisë; bateri të mëdha, ku kapaciteti i energjisë nga burime të rinovueshme mund të ruhet në bateri litiumi ose teknologji të tjera për përdorim kur kërkesa është më e lartë; Paketa portative të baterive për pajisje të vogla, si llamba, mikrofona wireless ose stacione karikimi për vizitorë; panele diellore portative ose modulare, që mund të vendosen në çadra, çadra VIP, zona të stafit ose në hapësira të hapura; pajisje hibride, kombinimi i diellit me bateritë që ruan energji gjatë ditës dhe e përdor gjatë natës; stacione karikimi për vizitorët, që përdorin energjinë diellore të ruajtur për karikimin e telefonave dhe pajisjeve të vogla; menaxhimi i energjisë dhe konsumit, siç janë LED dhe pajisje efikase: ndriçim, ekrane dhe sistemet e zërit me konsum minimal. Stacione karikimi me limit: kontrollon se sa energji përdoret nga vizitorët etj.
7. Rritja e gjelbërimit: Mbjellja e sa më shumë pemëve ose drunjve halorë gjatë perimetrit të festivalit, por edhe angazhimi i Komunës së Prishtinës që të mbillen pemë halore gjatë rrugës që çon deri në festival. Së pari, do të ishte bukur për syrin, në veçanti gjatë verës; së dyti, do të ulte ndotjen dhe, së treti, do të krijonte hije dhe do të ndikonte në uljen e temperaturave gjatë gushtit, muajit më të nxehtë.
8. Rritja e riciklimit: SHF ka filluar me praktika të mira për mbledhjen e shisheve dhe enëve njëpërdorimëshe. Megjithatë, industria kreative gjithashtu prodhon materiale fizike, siç janë dekorimet, kostumet, pajisjet skenike përcjellëse, dhe pjesa më e madhe e të cilave shpesh përfundojnë në mbeturina, duke rritur ndotjen e tokës dhe ujit. Prandaj mund të ketë reduktim të materialeve njëpërdorimëshe; këtu mund të nisë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës.
9. Transporti: Është gjithashtu një faktor i madh në mjedis dhe në shëndetin publik, prandaj udhëtimet e pjesëmarrësve, artistëve dhe stafit, shpesh me makina private ose aeroplanë, rrisin gjurmën e karbonit të eventit. Mbështetja dhe mirëorganizimi i transportit publik dhe ekologjik gjatë javës së SHF do të ishte një zgjidhje e qëndrueshme. Madje transporti në vendin tonë konsiderohet një prej ndotësve të ajrit.
10. Përfitimet komunitare: Festivali ka ndikim të madh në fshatrat përreth, kryesisht për zhurmën, trafikun, mbetjet, pluhurin dhe shkeljen e gjelbërimit, por me planifikim të kujdesshëm dhe masa mjedisore, këto efekte mund të reduktohen ndjeshëm. Festivalet muzikore të hapura prodhojnë nivele të larta zhurme që mund të përhapen me kilometra, duke ndikuar te banorët e fshatrave përreth; pastaj rritje e konsiderueshme e automjeteve, autobusëve dhe parkingjeve brenda dhe rreth fshatrave; rritje e ndotjes nga gazrat e automjeteve; bllokime të rrugëve, vështirësi në lëvizjen e banorëve, si dhe rritja e pluhurit dhe grimcave nga zona e festivalit mund të përhapen nga era, duke ndikuar në ajrin e fshatrave dhe zhvillimin e jetës së tyre në përditshmëri. Prandaj duhet të rritet kujdesi për banorët e zonës; edhe pse festivali sjell përfitime ekonomike, duhet të ofrohen për ta edhe mundësi për projekte mjedisore, si pastrim, gjelbërim ose menaxhim të mbetjeve në komunitet. Mund të vendosen barriera natyrore dhe të përkohshme kundër pluhurit dhe zhurmës, të bëhet monitorimi i zhurmës dhe ajrit për të ruajtur standardet e pranueshme për komunitetin. Mbetje të riciklueshme dhe stacione uji për vizitorët, për të reduktuar ndotjen e tokës dhe ujit. Informimi i komunitetit dhe angazhimi i tyre në vendimmarrje për planifikimin e festivalit. /Telegrafi/