Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot mori pjesë në dorëzimin e pajisjes të siguruar në bashkëpunim me Ambasadën e Amerikës në Maqedoni dhe programi ATA. Bëhet fjalë për një donacion pajisjesh për nevojat e Njësisë për zbulim dhe çmontim të mjeteve shpërthyese në Sektorin për Luftë kundër Terrorizmit, Ekstremizmit dhe Radikalizimit të Dhunshëm pranë Departamentit për Zbulimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë.
Siç informon MPB, bëhet fjalë për një pajisje shumë të sofistikuar, në vlerë prej rreth një milionë euro – robot për ballafaqim me mjete të improvizuara, mina të pashpërthyera dhe municione të tjera, uniforma kundër bombave, duar manipulues teleskopik, detektues të mjeteve shpërthyese, kamera me fibra optike, aparate rentgen për zbulimin e mjeteve shpërthyese, automjet i specializuar për transferimin e pajisjeve dhe stërvitjen e anëtarëve të njësisë për zbulimin dhe çmontimin e mjeteve shpërthyese, si dhe për shfrytëzimin e pajisjes përmes programit ATA.
“Sot tregojmë se partneriteti ynë strategjik me SHBA-në është në nivel të shkëlqyer. Dërgoj një falënderim të madh për gjithë ekipin e ambasadës amerikane në Maqedoni. Përpjekja e tyre personale krijon vlerë të shtuar për ta siguruar këtë pajisje të rëndësishme që është dhuruar nga ana e shtetit amerikan. Kemi pajisje e cila është dhuruar në njësinë për zbulimin dhe çmontimin e mjeteve shpërthyese ose “njësi e bombave” e cila është e rëndësishme për Maqedoninë në kuadër të veprimit profesional në MPB. Bëhet fjalë për pajisje më moderne në vlerë prej rreth një milionë euro dhe të gjithë pjesëtarët e njësisë tashmë kanë kaluar trajnim adekuat gjithashtu të organizuar nga ana e ambasadës. Me lloj të tillë të pajisjes mbrohet jeta e njerëzve dhe qytetarëve si dhe profesionistëve në MPB”, thekson Toshkovski.
Kryerësi i detyrës ambasador i SHBA-së në Maqedoni, Nikol Varns, tha se ky donacion përfaqëson një përkushtim të përbashkët për forcimin e kapacitetit të ministrisë për t’iu përgjigjur këtyre llojeve të kërcënimeve, duke mbrojtur komunitetin dhe jetën e qytetarëve.
“Përkushtimi i përbashkët i Ministrisë dhe Ambasadës është thelbësor për suksesin e dy vendeve tona dhe pres bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Pjesëtarët e Departamentit për Mjete Shpërthyese në punën e tyre përballen me rreziqe të jashtëzakonshme. Ata lëvizin në rrezik që të tjerët të jemi sigurt. I meritojnë mjetet dhe pajisjet e cilësisë më të lartë për të kryer detyrat e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive. Ky automjet dhe pajisje do të rrisin kapacitetin e tyre për të zbuluar, vlerësuar dhe neutralizuar kërcënimet shpërthyese me shpejtësi, precizion dhe koordinim më të madh. Mbështetja e sotme e potencon interesin tonë të përbashkët për siguri dhe stabilitet. Kur kapacitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut forcohen, kur kërcënimet identifikohen dhe adresohen në mënyrë të përshtatshme dhe të shpejtë, përfitimet janë edhe për të dy kombet. Një partneritet i fortë dypalësh si i yni është thelbësor për të siguruar sigurinë dhe për t’iu përgjigjur sfidave para se ato të përshkallëzohen. Këtë e bëjnë partnerët e besuar”, theksoi Varns.