Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, sot në fshatin Bivolak u organizua për të dhjetin vit me radhë aksioni tradicional i dhurimit të gjakut.
Kjo nismë, e cila tashmë është kthyer në traditë, mbledh çdo vit qytetarë, familjarë dhe dashamirë të shumtë për të kontribuar në shpëtimin e jetëve, duke dhuruar gjak në një ditë me rëndësi të veçantë për vendin.
Njëri nga organizatorët, Vedat Klinaku, theksoi se këtë vit shënohet një dekadë nga fillimi i kësaj iniciative humane.
“Janë bërë 10 vite nga fillimi i iniciativës për dhurimin e gjakut. Një rrugëtim që nisi me përkushtim nga Arben Klinaku i ndjeri, vëllau im, avokati Sylejman Klinaku, Driton Klinaku, Jeton dhe Fitim Klinaku etj., që sot mban një domethënie edhe më të thellë për familjen tonë”, u shpreh ai.
Sipas tij, këtë vit iniciativa organizohet në nderim të vëllaut të tyre të ndjerë, Arben Klinaku, duke i dhënë kështu aksionit një kuptim edhe më emocional dhe familjar.
Viti i dhjetë i kësaj nisme shënon jo vetëm një përvjetor simbolik për familjen Klinaku, por edhe një dëshmi të solidaritetit dhe humanizmit në nder të Pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/