Qetësia, kuptimi i shkakut dhe njohja e emocioneve mund ta ndihmojnë fëmijën të mësojë t’i menaxhojë më mirë ndjenjat e forta
Nëse reagoni në mënyrën e duhur ndaj shpërthimeve të zemërimit, jo vetëm që do ta kaloni më lehtë situatën, por me kalimin e kohës mund ta ndihmoni fëmijën të zhvillojë edhe inteligjencën emocionale.
Fëmijët i shprehin emocionet në mënyra të ndryshme. Shpërthimet e zemërimit, të shoqëruara me të bërtitura, britma dhe të qara, janë veçanërisht të zakonshme te disa fëmijë nga mosha dy deri në pesë vjeç.
Psikologia Julie Fraga thekson se sjelljet e vështira janë pjesë normale e rritjes dhe shpesh janë një formë komunikimi, pas së cilës mund të fshihen frika, shqetësime apo nevoja të paplotësuara.
Sipas saj, mënyra si reagojnë prindërit në këto situata mund ta ndihmojë fëmijën të mësojë gradualisht të kuptojë dhe të menaxhojë emocionet, transmeton Telegrafi.
foto: media-photos
1. Mos reagoni menjëherë me nervozizëm
Është normale që prindi të shqetësohet kur fëmija ka një shpërthim zemërimi, por në ato momente duhet kujtuar se fëmijët mësojnë shumë duke vëzhguar sjelljen e të rriturve.
Fraga këshillon që prindi fillimisht të përpiqet të qetësojë veten, për shembull përmes frymëmarrjes së thellë.
Emocionet mund të përcillen nga një person te tjetri. Kur prindi ruan qetësinë, edhe fëmija ka më shumë gjasa të qetësohet dhe njëkohësisht mëson si të përballojë emocionet e forta.
2. Mos u përpiqni vetëm ta ndalni sjelljen
Në vend të urdhrave ose përpjekjes për ta ndërprerë menjëherë sjelljen e padëshiruar, përpiquni të kuptoni çfarë mund të fshihet pas saj.
Një reagim i tillë mund të lidhet me frikën nga ndëshkimi, përshtatjen në kopsht, ndryshime në rutinë, lodhjen ose një periudhë të vështirë zhvillimore.
Fraga këshillon prindërit të pyesin veten: “Çfarë po i ndodh fëmijës që po reagon kështu?”
Kuptimi i shkakut është shpesh hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit.
3. Mos i injoroni emocionet që fshihen pas sjelljes
Zemërimi, shmangia apo edhe gënjeshtra ndonjëherë mund të jenë mënyra me të cilat fëmija përpiqet të mbrohet nga ndjenja të pakëndshme, si turpi, faji, frika ose trishtimi.
Prindi mund ta ndihmojë duke ia emërtuar emocionin.
Pyetje të thjeshta si: “A je i trishtuar?”, “A je i zemëruar?” ose “A je i shqetësuar?” mund ta ndihmojnë fëmijën të kuptojë më mirë atë që po ndien.
Vetë emërtimi i emocioneve mund të ndihmojë në uljen e intensitetit të tyre.
4. Mos harroni të analizoni edhe sjelljen tuaj
Fëmijët shpesh imitojnë mënyrën si të rriturit reagojnë ndaj stresit dhe emocioneve të forta.
Prandaj, Fraga këshillon prindërit të pyesin veten se si sillen kur janë të zemëruar, të frikësuar apo të trishtuar.
Nëse prindi i njeh më mirë emocionet dhe reagimet e veta, mund ta kuptojë më lehtë edhe cilat modele sjelljeje mund t’i ketë përvetësuar fëmija prej tij.
5. Mos e nënvlerësoni urinë, lodhjen dhe stresin
Uria, lodhja, vetmia dhe burime të tjera stresi mund ta bëjnë shumë më të vështirë që fëmija t’i kontrollojë emocionet.
Prandaj, para se ta qortoni apo ndëshkoni, kontrolloni nëse ekziston ndonjë nevojë bazë që nuk është plotësuar.
Një vakt, pak pushim ose kohë cilësore me prindin ndonjëherë mund të mjaftojnë që situata të qetësohet.
Në fund, një shpërthim zemërimi nuk duhet parë vetëm si “sjellje e keqe”. Shpesh ai është mënyra e fëmijës për të treguar se ende nuk di si ta përballojë atë që ndien. Reagimi i qetë dhe i qëndrueshëm i prindit mund ta ndihmojë gradualisht që këtë aftësi ta zhvillojë vetë. /Telegrafi/