Herë pas here, çdo prind ka frikë se fëmija i tij mund të jetë i llastuar, dhe pothuajse çdo i rritur e ka dëgjuar këtë fjalë kur ishte i vogël. Shpesh është ekzagjerim, por ndonjëherë ndodh vërtet.
Sipas një artikulli të botuar në revistën Pediatrics, “sindroma e fëmijës së llastuar” lidhet me sjellje të papjekura dhe egoiste, që shfaqen kur prindërit nuk vendosin kufij të qartë dhe të përshtatshëm për moshën.
Fëmijët shumë të llastuar shpesh bëhen të rritur me disa tipare të vështira.
-Tiparet që shfaqen në moshë madhore
Presin benefite të menjëhershme
Nëse si fëmijë merrnit gjithmonë atë që donit, si të rritur mund të prisni që gjërat t’ju vijnë menjëherë — pa shumë përpjekje.
Mund të mendoni se meritoni nota të mira pa studiuar, një punë të ëndrrave pa qenë të kualifikuar, apo vëmendje të vazhdueshme nga partneri.
Studimet tregojnë se fëmijët që mësojnë të presin dhe të shtyjnë kënaqësinë kanë më shumë sukses më vonë në jetë. Lajmi i mirë është se durimi mund të mësohet edhe në moshë madhore.
Nuk përballojnë mirë zhgënjimet
Fëmijët e llastuar shpesh nuk mësojnë si të përballen me dështimin apo stresin, sepse prindërit ua lehtësojnë gjithmonë rrugën.
Si të rritur, ata mund të nervozohen lehtë, të mos pranojnë kritika dhe t’i shohin gabimet si dështim, jo si mundësi për të mësuar.
Ndihen të privilegjuar (me ndjenjë “më takon mua”)
Nëse prindërit ua plotësonin çdo dëshirë, si të rritur mund të mendoni se të tjerët duhet t’ju trajtojnë në mënyrë të veçantë.
Kjo mund të shfaqet si mosrespektim i rregullave ose pritje për sukses pa punë. Një qëndrim i tillë dëmton marrëdhëniet, sepse ato bazohen në respekt dhe barazi.
Ndihen të pafuqishëm
Kur prindërit bëjnë gjithçka për fëmijën, ai nuk mëson të jetë i pavarur.
Si i rritur, mund të shmangë sfidat, të mos besojë në aftësitë e veta dhe të dorëzohet shpejt përballë vështirësive.
Kanë vështirësi të bëjnë kompromis
Nëse si fëmijë gjithmonë bëhej si donit ju, si i rritur mund ta keni të vështirë të pranoni mendimin e të tjerëve.
Kjo ndikon negativisht në marrëdhënie personale dhe profesionale, sepse kompromisi është thelbësor për bashkëpunim të shëndetshëm.
Kanë qëndrueshmëri të ulët emocionale
Kur fëmijët mbrohen nga çdo zhgënjim apo ndjesi e pakëndshme, ata nuk zhvillojnë forcë emocionale.
Si të rritur, mund të reagojnë tepër ndaj situatave të vogla dhe ta kenë të vështirë të përballojnë emocione si mërzia apo ankthi.
Vetëvlerësimi varet nga miratimi i të tjerëve
Nëse prindërit lavdëronin çdo gjë të vogël, fëmija mund të rritet duke kërkuar vazhdimisht miratim nga të tjerët.
Si i rritur, ai mund të bëhet i varur nga fjalët e mira dhe të humbasë besimin në gjykimin e vet.
Nuk pranojnë fjalën “jo”
Fëmijët që nuk dëgjojnë kurrë “jo” shpesh rriten duke mos respektuar kufijtë e të tjerëve.
Ata mund të përpiqen të manipulojnë ose të ushtrojnë presion për të marrë atë që duan. Por të pranosh “jo”-në është thelbësore për marrëdhënie të shëndetshme.