Forma e laringut, kordhat vokale dhe mënyra e të folurit luajnë rol të madh në krijimin e zërit të fëmijës
Kur lind një fëmijë, shpesh flitet se kujt i ngjan, kujt ia ka sytë, flokët apo buzëqeshjen. Shumë më rrallë flitet se nga kush e trashëgon zërin, edhe pse të gjithë mezi presin që të vegjlit të fillojnë të flasin për t’i dëgjuar zërat e tyre të ëmbël dhe të hollë.
Por çfarë ndikon në formimin e zërit, vetëm gjenetika apo edhe faktorë të tjerë?
Otorinolaringologia Dr. Svetlana Kim thekson se zëri shpesh quhet “fytyra e dytë e njeriut”. Ai është unik si gjurma e gishtit: nga timbri (ngjyra e zërit), intonacioni dhe lartësia e tonit, ne i njohim lehtë njerëzit tanë të dashur, madje edhe kur nuk i shohim.
Por pse zërat e vajzave shpesh janë pothuajse kopje e zërit të nënës, ndërsa zëri i djalit tingëllon shumë i ngjashëm me atë të babait? A është kjo çështje gjenesh apo rezultat i diçkaje tjetër?
Trashëgimia ndikon në zë, por ka disa veçori specifike, transmeton Telegrafi.
• Zëri është tingull që krijohet nga kalimi i ajrit nëpër laring dhe nga dridhja e kordhave vokale. Në të ndikojnë dhjetëra parametra anatomikë që trashëgohen nga prindërit.
• Struktura e laringut dhe gjatësia e kordhave vokale. Sa më të gjata dhe më të trasha të jenë, aq më i ulët është zëri. Kjo përcaktohet në masë të madhe nga gjenetika.
• Kutia rezonatore, vëllimi dhe forma e rezonatorëve. Zëri fiton timbrin e tij unik në zgavrat e kafkës, nazofaringut dhe në formën e nofullës. Edhe vëllimi i kraharorit ndikon. Struktura e trashëguar e eshtrave të fytyrës dhe qiellza ndikojnë drejtpërdrejt në ngjyrën e zërit.
• Kapaciteti i mushkërive. Forca dhe qëndrueshmëria e zërit varen nga kapaciteti i sistemit të frymëmarrjes, i cili gjithashtu trashëgohet. Pra, ne e trashëgojmë “instrumentin muzikor”, por mënyra si e përdorim varet nga faktorë të tjerë.
Pse zërat në familje ngjajnë mes vete
Shumë lehtë mund të ndodhë që dikush përmes telefonit të ngatërrojë zërin e babait me atë të djalit, sepse tingëllojnë ngjashëm. Këtu veprojnë dy mekanizma: anatomik dhe sjellor.
Ngjashmëria anatomike lidhet me faktin se të afërmit kanë skelet të ngjashëm të fytyrës, sistem dentar dhe laring, ndërsa aftësitë fizike për prodhimin e tingullit janë të përafërta.
Gratë në të njëjtën familje shpesh kanë nivele të ngjashme hormonale, gjë që ndikon edhe në elasticitetin dhe lartësinë e tonit të kordhave vokale.
Fëmijët imitojnë të folurin dhe intonacionin e prindërve gjatë kohës kur mësojnë të flasin. Në mënyrë të pavetëdijshme ne përvetësojmë jo vetëm fjalët, por edhe mënyrën e shqiptimit, ritmin e të folurit, pauzat tipike, madje edhe nuancat dialektore.
Shpesh ajo që e konsiderojmë gabimisht si gjenetikë është thjesht “trashëgimi sjellore”. Zëri i vajzës mund të ngatërrohet me atë të nënës jo vetëm sepse kanë korda vokale të ngjashme, por edhe sepse vendosin theks të ngjashëm në fjali dhe përdorin modele të ngjashme intonacioni. /Telegrafi/