Që nga fillimet e tyre në Mesjetë, samurajët kanë frymëzuar artin, letërsinë dhe filmat, nga Shoguni [Shōgun] te Lufta e yjeve [Star Wars]. Por, historia e tyre e vërtetë është më komplekse dhe më befasuese sesa mund të mendojmë.
Nga: Matthew Wilson / BBC
Telegrafi.com
Trashëgimia e vazhdueshme e samurajëve është fenomen i veçantë në historinë kulturore. Asnjë grup tjetër shoqëror mesjetar nuk është çmuar apo mitizuar pareshtur në kulturën popullore – nga gravurat ykijoi [ukiyo-e] të shekullit XVIII deri te videolojërat, serialet televizive dhe filmat bashkëkohorë.
Harku i famës gjithmonë anon drejt shtrembërimit, dhe kështu ndodh edhe me samurajët: a ishin vërtet këta kalorës legjendarë të së kaluarës aq të patrembur, besnikë, vetëflijues, të disiplinuar dhe në mënyrë unike japonezë, siç kemi menduar? Jo sipas ekspozitës së re Samurai të Muzeut Britanik, e cila synon të heqë perden e fantazisë rreth këtyre luftëtarëve misteriozë dhe shpesh të keqkuptuar – dhe të zbulojë historinë e tyre të vërtetë, shumë më tërheqëse.
Pra, kush ishin samurajët dhe si filloi historia e tyre? “Ata nuk ishin një grup i njëtrajtshëm njerëzish, i njëjtë gjatë gjithë historisë”, i thotë BBC-së, kuratorja e ekspozitës, Rosina Buckland. “Mendoj se perceptimi në Perëndim është se samurajët janë luftëtarë – dhe ata sigurisht që ishin. Kështu u shfaqën dhe u ngritën në pozita pushteti në Mesjetë. Por, kjo nuk është e gjitha”.
Lexo po ashtu:
– Gravurat e famshme (të censuruara) japoneze
– Arti i posterëve japonezë gjatë shekullit XX
– Van Goghu dhe Japonia: Printimet që ndikuan në artin e gjeniut fatkeq
Një parzmore e shfaqur në ekspozitë(Kujdestarët e Muzeut Britanik / The Trustees of the British Museum)
Origjina e samurajëve daton në shekullin X, kur ata u rekrutuan për herë të parë si mercenarë për oborret perandorake. Ata gradualisht u shndërruan në fisnikëri rurale, por nuk ishin, siç njerëzit priren t’i përfytyrojnë më vonë, kryqtarë idealistë që ndiqnin kode kalorësiake të trashëguara nga tradita. Në betejë synonin të përdornin taktika oportuniste, si pritat dhe mashtrimin, dhe shpesh motivoheshin më shumë nga shpërblimet në tokë dhe status sesa nga një ndjenjë nderi apo detyre vetëmohuese.
Aftësia e tyre për t’u përshtatur nënkuptonte gjithashtu se ata i përqafonin ndikimet shumëkulturore dhe teknologjitë e huaja – një tjetër aspekt befasues i identitetit samuraj. Kraharori i një parzmoreje madhështore samurajësh, që shfaqet në ekspozitë, bazohej në një model portugez. Ai ka pjesë të përparme të mprehtë dhe anë të pjerrëta për të devijuar plumbat e musketave, tipare që u bënë të nevojshme vetëm pas importimit në Japoni, më 1543, të armëve evropiane të zjarrit.
“Kultura është pushtet”
Samurajët arritën pushtet politik duke shfrytëzuar kaosin e shkaktuar nga mosmarrëveshjet mbi trashëgiminë perandorake. Përfundimisht, një klan dominues – Minamoto – mori kontrollin dhe, në vitin 1185, themeloi një qeveri të re paralele me oborrin perandorak. Me kalimin e viteve pati ngritje dhe rënie të këtyre dinastive ushtarake, të shoqëruara me beteja të ndryshme midis udhëheqësve të klaneve. Por, siç thekson Buckland, “edhe në këto faza të hershme, kultura është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kultura është pushtet”.
Udhëheqësit ushtarakë – të quajtur shogunë – e kuptuan se nuk mund ta ushtronin me sukses autoritetin sipas këndvështrimit dhe mentalitetit të krerëve fisnorë të luftës. Prandaj, gjetën mënyra për ta plotësuar forcën e tyre ushtarake me forma më të fine dhe më të sofistikuara të ushtrimit të pushtetit brenda shoqërisë oborrtare.
Manuali i tyre i qeverisjes bazohej në filozofinë kineze, kryesisht në idetë e Konfuçit. “Në mendimin neo-konfuçian”, thotë Buckland, “duhet të ketë një ekuilibër midis fuqisë ushtarake dhe aftësisë kulturore”. Pasojë e kësaj ishte investimi gjithnjë e më i madh në pushtetin e butë në dhomat e oborrit të mbushura me aromë temjani.
Origjina e samurajëve nis në shekullin X – por, legjenda dhe mitologjia e tyre kanë zgjatur me shekuj(Kujdestarët e Muzeut Britanik / The Trustees of the British Museum)
Krahas zotërimit të artit të luftës, samurajët u bënë të aftë edhe në artet e rafinuara të pikturës, poezisë, interpretimit muzikor, teatrit dhe ceremonive të çajit. Një erashkë që paraqet orkidetë, e pikturuar në shekullin XIX nga një artist samuraj, është një nga objektet më të bukura dhe më të papritura në ekspozitë.
Shoguni, seriali i Disney/FX-it, sezoni i dytë i të cilit aktualisht është në prodhim, ofron një tregim të trilluar të një prej pikave të kthesës në historinë e samurajëve. Në vitet 1500, një udhëheqës i një klani, Tokugawa Ieyasu (i përfaqësuar nga personazhi fiktiv Yoshii Toranaga në serial), themeloi një qeveri aq të suksesshme saqë zgjati për 250 vjet.
Kjo do të thotë se nuk pati më beteja të mëdha brenda Japonisë, dhe samurajët morën role të reja. Në vend që të komandonin në fushëbetejë, ata tani administronin shtetin. “Ata janë ministra, ligjvënës, mbledhës të taksave”, thotë Buckland. Ata morën detyra që shtriheshin në të gjithë oborrin, “deri edhe duke qenë roje në portat e kështjellës”.
Gratë e samurajëve
Gjatë këtij regjimi të ri, të njohur si Shogunati Tokugawa, familjet e daimiove (Daimyō – zotërinjtë rajonalë të Japonisë) u detyruan të jetonin në qendrën e pushtetit të tij, në qytetin Edo (Tokio). “Ata janë si pengje, pranë shogunit, që ai të mund t’i mbajë nën kontroll”, thotë Buckland. Ishte një mënyrë për të siguruar bindjen dhe besnikërinë e samurajëve. “Nuk mund të komplotosh në provinca nëse gruaja dhe trashëgimtari yt janë në Edo, sepse mund të humbasësh qasjen tek ata, ose ata mund të ekzekutohen”.
Si pasojë, sipas Bucklandit, u rrit rëndësia e rolit të grave në rrethet e samurajëve. “Gratë drejtonin familjet, kur burrat e tyre shpesh mungonin. Dhe, nëse je një samuraj me rang të lartë, mund të kesh 40 ose 50 persona në familjen tënde. Është si të drejtosh një biznes të vogël”.
Përveç mbikëqyrjes së shërbëtorëve dhe zejtarëve, ato menaxhonin edhe edukimin e fëmijëve të tyre dhe pritnin mysafirë sipas ritualeve dhe procedurave të kërkuara. Objekte të ndryshme në ekspozitën e Muzeut Britanik, si rroba, manuale etike dhe aksesorë, tregojnë historitë e jetës së këtyre grave të samurajëve.
Objektet, si kjo xhaketë luksoze e një gruaje, tregojnë historitë e jetës së grave të samurajëve(Koleksioni “John C Weber” / Foto: John Bigelow Taylor)
Gjatë Shogunatit Tokugawa, dramat, poezitë dhe veprat artistike e theksuan gjithnjë e më shumë figurën legjendare të samurajëve të së kaluarës, duke vënë në pah heroizmin, trimërinë dhe besnikërinë e tyre. Shumica shpallnin virtytet e burrave, por disa rrëfenin edhe për gratë luftëtare samuraje.
Një gravurë ykijoi nga viti 1852, paraqet një prej këtyre grave – Tomoe Gozen, gruaja e një gjenerali të klanit Minamoto. Ajo paraqitet në Betejën e Avazusë në vitin 1184, ku thuhet se ndoqi luftëtarin e frikshëm Hachirō Morishige, e rrëzoi nga kali dhe ia përdrodhi kokën me duart e saj të zhveshura.
Rënia dhe rilindja
Gjatë Epokës Meiji (1868-1912), Japonia hapi kufijtë e saj ndaj tregtisë ndërkombëtare dhe filloi të modernizojë industrinë, ushtrinë dhe institucionet shoqërore. Në mesin e ndryshimeve ishte edhe shfuqizimi zyrtar i klasës së samurajëve në vitin 1869. Ishte një tjetër moment vendimtar në historinë e samurajëve. “Në këtë pikë, imazhi i samurajit bëhet thjesht trillim”, thotë Buckland. “Ai hidhet poshtë për rreth 25 vjet, por më pas hyn në lojë nostalgjia dhe imazhi i tyre rishqyrtohet”.
Jashtë Japonisë, një magjepsje e re me samurajët çoi në popullaritetin e librave si Bushido: Shpirti i Japonisë (1899), shkruar nga Nitobe Inazō, një kuaker japonez që jetonte në Kaliforni. “Libri u lexua gjerësisht”, thotë Buckland. “Theodore Roosevelt bleu disa kopje për t’ua dhënë miqve të tij. Ai u përdor për të shpjeguar suksesin e Japonisë, sepse ajo sapo kishte fituar Luftën Sino-Japoneze dhe më pas kishte mposhtur Rusinë”. Brenda Japonisë, gjatë shekullit XX, një imazh i shtrembëruar i samurajëve u manipulua për qëllime të ndryshme, si propagandë për ushtrinë dhe si simbol i kombit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, rrëfimet për samurajët u ringjallën sërish – këtë herë si subjekt filmash. Më i famshmi ndër regjisorët prapa këtyre filmave ishte Akira Kurosawa, aftësia e të cilit për rrëfim vizual dhe menaxhim të skenave të aksionit pati një ndikim vendimtar në kinemanë amerikane. Shtatë samurajët (1954) i Kurosawas u rikrijua si Shtatë të madhërishmit (1960), ndërsa Truproja (1961) frymëzoi Një grusht dollarë (1964).
Më pas, Holivudi ka prodhuar edhe vetë filma për samurajë, si Samuraji i fundit (2003) dhe 47 Ronin (2013) – dhe popullariteti i gjithçkaje që lidhet me samurajët u konfirmua së fundmi nga suksesi i serialit të sipërpërmendur, Shoguni, i bazuar në romanin e vitit 1975 të shkrimtarit anglez James Clavell.
Shumë nga kostumet e “Luftës së yjeve”, u frymëzuan nga parzmoret samuraje(Lucasfilm)
Siç tregon ekspozita, filmi fillestar Lufta e yjeve: Shpresa e re (1977), u frymëzua nga filmi Kështjella e fshehur (1958) i Kurosawës, dhe shumë prej kostumeve u ndikuan nga parzmoret samuraje – ai i Darth Vejderit, i ekspozuar në dhomën e fundit të ekspozitës, është më ikoniku.
Historia e vërtetë e samurajëve është një histori evolucioni dhe përshtatjeje, nga fillimet e tyre si mercenarë mesjetarë deri te statusi i mëvonshëm si burokratë të fisnikëruar dhe mbështetës të arteve. Por, legjenda e tyre ka rezultuar të jetë një burim i përhershëm intrigash dhe magjepsjesh, i mbajtur gjallë ndër dekada në art, film, videolojëra dhe letërsi. “Dhe, ne shpresojmë”, thotë Buckland për ekspozitën e Muzeut Britanik, “që njerëzit të frymëzohen për të krijuar përfaqësime të reja të samurajëve”. /Telegrafi/