Ballkani Perëndimor hyn në vitin 2026 më shumë në një gjendje pezull sesa në krizë; politikbërësit në Uashington dhe Bruksel duhet të kuptojnë këtë dallim.
Blerim Vela
Ndërsa krizat kërkojnë vendime të menjëhershme dhe ndërhyrje të nivelit të lartë, limboja i shtyn ato dhe njëkohësisht ripërcakton në mënyrë të qetë, por thelbësore, stimujt rajonalë, aleancat dhe vlerësimet e rreziqeve.
Në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, pasiguria është bërë kushti strategjik kryesor: pasiguri mbi kapacitetin e Evropës për veprim autonom, mbi angazhimet afatgjata të SHBA dhe mbi natyrën e fuqisë në një rend sigurie evropian të trazuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.
Në këtë mjedis, rreziku më i madh nuk është paraliza politike; është keqvlerësimi strategjik.
Gjendja pezull nuk është kurrë një gjendje neutrale. Ajo prodhon sjellje të caktuara tek politikbërësit. Kur pasojat gjeopolitike duken të kushtëzuara dhe garancitë e sigurisë shfaqen relative, udhëheqësit politikë përshtaten duke përdorur strategji mbrojtëse dhe sigurim ndaj pasojave të paparashikueshme.
Ballkani Perëndimor ka parë më parë këtë dinamikë. Kur sinjalet e jashtme nga Perëndimi zbehen dhe fuqia e parandalimit (deterrence) dobësohet, vendimmarrësit vendor nuk presin qartësi. Ata mbushin vetë boshllëkun, shpesh në mënyra që rrisin konkurrencën dhe fragmentimin rajonal në vend që ta reduktojnë atë.
Për Kosovën dhe fqinjët e saj, gjeopolitika nuk është më një faktor episodik ose i jashtëm; ajo është pjesë e vendimmarrjes së përditshme. Ajo manifestohet në çmimet e energjisë, prioritetet e prokurimeve në mbrojtje, fushatat e sofistikuara të dezinformatave dhe në gjuhën gjithnjë më të vendosur që përdorin zyrtarët e lartë për sovranitetin dhe mbrojtjen.
Supozimi pas Luftës së Ftohtë se integrimi euroatlantik do të zbusë gradualisht gjeopolitikën historike në një kuadër rregullash dhe tregjesh duket tani jashtë kohe. Çfarë e zëvendëson këtë nocion ende po formohet, dhe kjo paqartësi është vetë një forcë strategjike.
Në qendër të këtij ndryshimi qëndron lufta në Ukrainë. Jo sepse një konflikt i ngjashëm është i pashmangshëm në kufijtë ballkanikë, por sepse Ukraina është bërë standardi për mënyrën se si vlerësohet fuqia, besueshmëria dhe shtrëngim i akterëve ndërkombëtar.
Në qarqet e sigurisë rajonale, Ukraina shërben si precedent. Pyetja që shtrohet nën zë në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd nuk është se si do të përfundojë lufta, por cili lloj sjelljeje bëhet legjitim në sytë e komunitetit ndërkombëtar.
Një zgjidhje që ngrin fitoret territoriale ruse, edhe nëse e paraqitur si “realizëm pragmatik,” normalizon idenë se kufijtë në Evropë varen nga fuqia ushtarake. Në Ballkanin Perëndimor, ku kufijtë janë sfiduar dhunshëm në të kaluarën e afërt, një normalizim i tillë do të ndikonte direkt në politikën e brendshme, planifikimin e mbrojtjes dhe diskursin e elitave.
Kjo shpjegon pse zyrtarët në rajon ndjekin me vëmendje sinjalet diplomatike nga Uashingtoni po aq sa zhvillimet në vijën e frontit të Donbasit. Ata nuk lexojnë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe udhërrëfyesin për sigurinë e tyre.
Gjuha dhe retorika kanë peshë të jashtëzakonshme në këtë klimë. Kur udhëheqësit perëndimorë flasin për “lodhje” ose nevojën urgjente për “të përfunduar luftën” pa e sqaruar terminologjinë, këto fjalë interpretohen me detaje forenzike në të gjithë Evropën Juglindore.
ShBA-ja ka rëndësi të madhe në këtë ekuacion, pikërisht sepse pozicionimi i saj strategjik ka pësuar një transformim thelbësor. Uashingtoni mbetet fuqia më e rëndësishme në rajon, por nuk vepron më si garant i pakontestueshëm i sistemit.
Ky ndryshim nuk është izolacionist, por selektiv. Politika amerikane drejtohet gjithnjë e më shumë nga shkalla dhe urgjenca, duke prioritizuar Kinën, Arktikun, teknologjitë e avancuara dhe Indo-Paqësorin. Ballkani trajtohet shpesh më shumë si një problem dytësor që menaxhohet përmes diplomacisë transaksionale sesa si një projekt strategjik kryesor.
Si rezultat krijohet një ndjesi e paparashikueshmërisë. Kur angazhimi amerikan bëhet episodik, vendet e rajonit përshtatin trajektoret e veprimit të tyre. Disa zbatojnë strategji diplomatike duke u afruar me fuqi jo-liberale, ndërsa të tjerët testojnë kufijtë e durimit ndërkombëtar. Me kalimin e kohës kjo dobëson strukturën e parandalimit të konflikteve, jo domosdoshmërisht përmes tërheqjes formale të trupave ushtarake, por përmes perceptimit të qëllimit të paqëndrueshëm.
Shumë para pushtimit të Ukrainës, Serbia kishte nisur këtë rrugë. Gjatë dekadës së fundit, ajo ka rritur sistematikisht shpenzimet për mbrojtje dhe ka modernizuar forcat e saja ushtarake, ndërsa ka diversifikuar zinxhirët e furnizimit. Ka investuar në aeroplanë luftarakë të avancuar, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe teknologji dronësh në një shkallë që nuk ka rival nga fqinjët. Deri në mesin e viteve 2020, buxheti i saj vjetor për mbrojtjen tejkalonte dy miliardë dollarë, duke arritur rreth 2.5 përqind të PBB-së. Kjo nuk ishte një reagim i papritur; ishte një strategji e qëllimshme për të siguruar dominancë ushtarake rajonale. Kjo përpjekje interpretohet brenda vendit përmes të ashtuquajturave “padrejtësi historike” dhe gjuhës së “mbrojtjes së bashkëkombësve,” që i ngjason të gjithëve në rajon me luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë së viteve të 1990 dhe gjuhën e Kremlinit para aventurave të tij ushtarake në shtetet fqinje.
Në pjesë të tjera, reagimet kanë ndjekur logjikë tjetër. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fokusohen në përmbushjen e standardeve të NATO-s, ndërsa Kroacia ka modernizuar kapacitetet e saj brenda një kuadri aleance. Kosova, duke mos qenë anëtare e NATO-s, ka ndërtuar gradualisht ushtrinë e saj nën vëzhgim ndërkombëtar intensiv.
Në këtë kontekst, përshpejtimi i koordinimit të mbrojtjes midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në mars të vitit të kaluar duhet parë si një reagim mbrojtës dhe ndoshta instinktiv. Është një formë sigurie rajonale ndaj një të ardhmeje ku garancitë e jashtme duken më pak të besueshme se më parë.
Evropa, ndërkohë, mbetet midis ambicies strategjike dhe ngërçit institucional. BE kupton se paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor kërcënon sigurinë e saj, por zgjerimi mbetet i kufizuar politikisht dhe angazhimi në siguri konsiderohet më tepër si proces teknokratik më shumë sesa në iniciativa strategjike.
Ky hendek midis retorikës dhe veprimit krijon një hapësirë që fuqitë e tjera janë të gatshme ta plotësojnë. Rusia operon me luftë politike dhe amplifikim narrative, ndërsa Kina përdor financime infrastrukturore dhe “durimin strategjik” për të ndërtuar prezencë pa kushtëzime politike.
Ballkani Perëndimor mbetet, si gjithmonë, një pasqyrë e vendosmërisë strategjike transatlantike. Në 2026, e ardhmja e rajonit do të formohet nga sinjalet e grumbulluara: kush shfaqet, kush i qëndron premtimeve të bëra, dhe kush kthen kokën dhe tërhiqet.
Andaj gjendja pezull nuk është një gjendje neutrale; është katalizator i paqëndrueshmërisë.
(Autori shërbeu si shef i stafit të presidentes së Kosovës (2021-2023) dhe ka doktoruar për Studime Bashkëkohore Evropiane në Universitetin e Sussexit. Ky shkrim fillimisht është botuar nga “Center for European Policy Analysis”, në gjuhën angleze)