Burimi: The Guardian (titulli: So the Epstein scandal is about politics? Silly me for thinking it’s about the mass abuse of women and girls)
Përkthimi: Telegrafi.com
Respekt për ish-bashkëshorten e Bill Gatesit, Melinda French Gates, një grua që pati guximin të shfaqej në një podkast këtë javë, ndërkohë që kaq shumë prej burrave të përmendur në dokumentet më të fundit për Epsteinin, duket se në axhendat e tyre kishin planifikuar të vazhdonin të fshiheshin. Sigurisht që Melinda u pyet për Jeffrey Epsteinin, dhe ajo dha një përgjigje të matur: “Çfarëdo pyetjesh që mund të kenë mbetur – unë nuk i di dhe nuk mundem t’i di të gjitha – ato pyetje janë për ata njerëz, madje edhe për ish-bashkëshortin tim. Ata duhet të përgjigjen për këto gjëra, jo unë. Dhe, jam shumë e lumtur që jam larguar nga gjithë ajo baltë që ishte aty”. Uf. Por, ajo gjithashtu shtoi, në mënyrë më të përgjithshme: “Mendoj se si shoqëri po kalojmë një moment llogaridhënieje, apo jo”?
Le të flas haptazi: unë nuk mendoj se po e kalojmë fare. Shikoni titujt, ose çfarë dominon në të gjitha edicionet e lajmeve. Po flasim për gjithçka tjetër përveç gjërave me të cilat kemi më shumë nevojë për llogaridhënie. Në Mbretërinë e Bashkuar, po flasim 24 orë në ditë për Peter Mandelsonin, njeriun e vetëm në këtë histori për të cilin të paktën e dimë se nuk po bënte përdorim abuziv seksual të grave dhe vajzave të trafikuara nga Epsteini. Edhe nëse i ka ofruar Epsteinit këshilla për rehabilitimin e imazhit, gjë që, siç u diskutua këtu thellësisht të martën, ishte një zhytje në humnerën morale. (Përsëri.) Por, përqendrimi i tërbuar dhe i pamëshirshëm në pasojat politike – dhe jo në poshtërimin burrë-grua që është zemra e kësaj historie dhe gjithmonë ka qenë – është i çuditshëm, apo jo? Qesha me ironi me kopertinën e New Statesman-it këtë javë, që e përshkroi Aferën Mandelson si “skandal i shekullit”. Njerëz, nuk është as skandali më i madh i këtij skandali.
Ta them troç. Mendoj se të gjitha pjesët e pasojave te të cilat po përqendrohemi tani janë një aktivitet masiv zhvendosjeje, i shtyrë në mënyrë të pavetëdijshme ose të vetëdijshme nga burrat që të mos përballemi me faktin se tani kemi regjistra të kërkueshëm të mënyrës se si disa nga burrat më të fuqishëm në botë, që kanë ndikim të madh mbi jetën tonë, flasin dhe mendojnë për gratë. Dhe, për vajzat.
Në njëfarë mënyre, ky është një mashtrim i errët për të cilin të gjithë duhet të kishim qenë të përgatitur. Nuk ka asnjë operacion kriminal abuzimi që një maskara nuk mund të blejë dhe përvetësojë, dhe më pas ta kthejë në diçka që duket si bamirësi. Është një video e pabesueshme e Epsteinit duke dhënë intervistë në një dhomë me panele druri, në stilin e klubeve të burrave, filmuar diku në fund të 2018-ës ose fillim të 2019-ës. “E fitova jetesën nga mënyra e vjetër e të menduarit”, reflekton gjerësisht Epsteini. “Por, e ardhmja është për mënyrën se si mendojnë gratë”. Pamja zgjerohet dhe shihet që intervistuesi është miku i tij, Steve Bannon. “A është arsyetim për gjithë poshtërsitë që ke bërë ndaj vajzave të reja”? – pyet Bannoni. “Arsyetimi yt është që mendimi i grave është e ardhmja”? “Jo”, buzëqesh Epsteini. “… Jam një mbështetës i fortë i [organizatës që ndihmon viktimat e dhunës seksuale] Time’s Up”. Pyes veten nëse ai ka dhuruar vërtet para për këtë organizatë të epokës #MeToo. Do të vija bast që po.
Gjithsesi, çdo njeri që shndërrohet, duhet të shndërrohet. Disa vite pas vdekjes së Epsteinit, Bannoni e ripaketoi këtë pamje në një dokumentar të quajtur The Monsters (producent: Stephen K Bannon) dhe tani e quan Epsteinin “pedofil globalist”. Po, ai do ta thoshte këtë, apo jo? Por, shiko çfarë kemi këtu? Gjithashtu përfshirë në një publikim të fundit dokumentesh ishte një korrespondencë ku Bannoni hedh ide për një strategji mbijetese për Epsteinin: “Po sikur të krijosh qendrën më të madhe për trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucionin e adoleshenteve etj. – një problem global, që ka nevojë të zgjidhet”.
Qesh – sërish me ironi – por, unë besoj fort se vetëm përshpejtimi i ngjarjeve, më konkretisht arrestimi dhe burgosja e Epsteinit në korrik 2019, e penguan botën nga themelimi i Fondacionit për Trafikimin Seksual të të Miturve nga Jeffrey Epstein. Po, tingëllon si një skeç i errët nga Saturday Night Live që nuk arrin kurrë të transmetohet. Por, abuzuesit seksualë krijojnë organizata të rreme bamirësie që i afrojnë ata te më shumë viktima të cenueshme? Ta themi troç, e kemi parë më parë – nga kisha te organizatat humanitare. Dhe, nëse këto dosje na tregojnë ndonjë gjë, është se do të kishte shumë, shumë donatorë meshkuj super të pasur. Shumë baballarë vajzash që janë të gatshëm të mbyllin sytë ndaj përdorimit dhe abuzimit të vajzave të baballarëve të tjerë.
Ndoshta broshura e bukur për mbledhje fondesh e fondacionit do të ishte stilizuar nga fotografi “artistik” Andres Serrano. “Isha gati të votoja kundër Trumpit për të gjitha arsyet e duhura”, ankohet Serrano te Epsteini në një email të vitit 2016. “Por, jam aq i neveritur nga zemërimi për ‘kapeni për vagine’ sa ndoshta do t’ia jap votën time të simpatisë”. Diku tjetër, Epsteini mendon se mënyra për të përballuar çdo seancë dëgjimore në Senat, për aktivitetet e tij, do të ishte të imitonte kandidatin e suksesshëm për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, seancat e të cilit përfshinin mohimin e akuzave për sulm seksual. “Mendoj se mund të imitoj Kavanaughin. ‘Po senator, më pëlqen vagina, vagina po. Po ty senator’”? Epo, pse jo? Për hir të avokatëve, duhet të sqaroj se ato nuk ishin fjalët e Kavanaughit dhe ai u përqendrua në atë se sa shumë i pëlqen birra … Por, qasja e tij funksionoi, dhe gjykatësi Kavanaugh do të ketë ndikim të madh mbi jetën e grave amerikane për gjithë jetën e tij. Dhe, për më shumë, “kapësi i vaginës” u bë president – dy herë.
Pra, vërtet: më kurseni nga hipokrizia elitare për krimet e Epsteinit dhe shikoni çfarë po ndodh realisht. Çfarë ka bërë ndonjëri në pushtet, për të goditur strukturat dhe qëndrimet që lejuan që ato të ndodhnin? Kemi ditur për botën e Epsteinit, për shumë kohë. Siç e tha qartë Julie K Brown, gazetarja brilante e Miami Herald-it, hetimi i vitit 2018 i së cilës, për Epsteinin, u bazua në vite të tëra të raportimit të kujdesshëm: “Epsteini shpëtoi nga krimet e tij sepse pothuajse çdo element i shoqërisë e lejoi të shpëtonte”.
Pajtohem. Dhe, vite më pas nga ai hetim, mund të shohim që reagimi ndaj çdo publikimi të ri dokumentesh lind nga i njëjti impuls për të parë nga drejtimi i gabuar që lejoi që gjithçka të ndodhte. Nga Noam Chomsky te Steve Bannoni, nga Bill Gatesi te ish-princi Andrew – kjo nuk ka të bëjë fare me të majtën apo të djathtën, apo para të reja apo të vjetra. Gjithmonë do të ketë diçka më të rëndësishme sesa përballja me rrënjët e mizogjinisë – para, pushtet, qasje, informacion, një projekt politik, “si funksionon bota”, nëse mund ta përdorësh Mandelsonin për të rrëzuar Keir Starmerin, “filantropi”, realpolitikë … Një milion përparësi të tjera. Gratë dhe vajzat e abuzuara nuk janë asgjë më shumë se një vegël narrative, ashtu siç kanë qenë gjithmonë. Është bota e kapësve të vaginës – ne thjesht jetojmë në të. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se tani mund ta shohësh të shkruar bardh e zi. /Telegrafi/