Gavi mbetet i vendosur ta fitojë një vend te Spanja për Kupën e Botës që zhvillohet këtë verë, raporton “MARCA”.
Mesfushori i Barcelonës e ka bërë të qartë ambicien e tij dhe paraqitjet e fundit po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për përzgjedhësin Luis de la Fuente ta lërë jashtë planeve.
21-vjeçari ka qenë titullar në katër ndeshjet e fundit të Barcelonës, duke treguar rritje të dukshme në formë pas rikthimit nga lëndimi.
Ai la përshtypje të veçantë ndaj Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve, ku u aktivizua pas pushimit dhe kompletoi 32 nga 33 pasime, para se ta nisë nga minuta e parë edhe derbin kundër Espanyolit.
Gavi spikati edhe në ndeshjen e kthimit kundër Atletico Madridit, ku luajti 81 minuta, regjistroi 91 për qind saktësi në pasime dhe fitoi pesë duele, në një përballje që Barcelona e konsideronte vendimtare.
Trajneri Hansi Flick e ka vlerësuar publikisht mesfushorin, duke theksuar se që nga rikthimi i tij “duket si një lojtar tjetër”, duke nënvizuar përmirësimin në ritëm dhe ndikimin në lojë.
Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, rruga e Gavit drejt Kupës së Botës nuk është e lehtë, pasi konkurrenca në mesfushën e Spanjës mbetet shumë e fortë, me rreth 13 futbollistë që synojnë disa vende të kufizuara në listën finale. /Telegrafi/