Nga: Leonard Veizi
Disa vdekje mbyllin një biografi, si kapak i rëndë që vihet mbi një jetë të përfunduar. Disa të tjera, përkundrazi, hapin një epokë dyshimi, duke lënë pas pyetje që vazhdojnë të gumëzhijnë në kohë. Vdekja e Stenli Kubrikut [Stanley Kubrick] – regjisorit të famshëm të Holivudit – i përket qartazi kategorisë së dytë. Jo sepse faktet zyrtare janë të paqarta; përkundrazi, ato janë të thjeshta, administrative, pothuajse të thata. Dyshimi lind diku tjetër. Ai lind nga vetë natyra e veprës së Kubrikut.
Filmat e tij nuk ishin rrëfime për t’u konsumuar, por struktura mendore për t’u përjetuar me shqetësim. Kubriku nuk tregonte histori melodramash dhe as nuk kërkonte empati të lehtë; ai ndërtonte sisteme frike, pushteti dhe heshtjeje, ku individi gjendej gjithmonë përballë forcave më të mëdha se vetvetja. Bota e tij kinematografike ishte një laborator i ftohtë, ku shoqëria, morali dhe autoriteti analizoheshin pa iluzione. Pikërisht për këtë arsye, vdekja e Kubrikut nuk mund të lexohet si një fakt i shkëputur nga vepra. Ajo mbart peshën simbolike të një fundi që duket se vjen në çastin kur autori kishte shtyrë më larg se kurrë kufijtë e asaj që mund të shihej dhe të kuptohej. Çdo përpjekje për ta interpretuar këtë vdekje jashtë universit së tij artistike mbetet e mangët, sepse Kubriku vetë na mësoi se, për të kuptuar fundin, duhet së pari të lexosh sistemin që e prodhoi atë …
… Ky shkrim nuk synon të prodhojë akuza, por të ndërtojë një analizë psikologjike dhe kulturore, ku vepra e Kubrikut lexohet si hartë mendore e elitave të padukshme, një hartë që, dekada më vonë, gjen një pasqyrim tronditës në atë që njihet sot si Dosja Epstin.
Lexo po ashtu:
– Misteri i kryeveprës së Kubrickut për Luftën e Ftohtë
– “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!
– Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?
– “Barry Lyndon”: Rrëfimi për objektivin famoz – F/0.7
– Zbulohen idetë e panjohura të Kubrickut, për filmat që nuk u bënë kurrë
– Veprat që parashikuan të ardhmen
Eyes Wide Shut dhe psikologjia e ritualit të pushtetit
Filmi i fundit i Kubrikut nuk është një film erotik. Në fakt gjithçka e Eyes Wide Shut, që në shqip njihet si Mbylli sytë fort është e mbështetur mbi romanin Traumnovelle të shkrimtarit austriak Artur Shnicler [Arthur Schnitzler], dhe që njihet si Historia e ëndrrës apo dhe si Ëndrra e dyfishtë. Për këtë libër – që i përket periudhës së lëvizjes Dekadente në Vjenë në fillim të shekullit XX – kritika thotë se është një eksplorim sureal i përmasave intime të martesës.
Por, Kubriku e ktheu filmin si një studim klinik mbi seksin si instrument pushteti. Seksualiteti në Eyes Wide Shut nuk është spontan, as intim; ai është ritual, hierarki, kontroll. Nga këndvështrimi psikologjik, rituali shërben për të zhveshur individin nga identiteti personal dhe për ta futur në një strukturë kolektive ku përgjegjësia shpërndahet. Maskat nuk fshehin fytyrën; ato e çlirojnë ndërgjegjen nga faji. Në këtë kuptim, Kubriku portretizon një elitë që nuk vepron në errësirë nga turpi, por nga efikasiteti.
Kjo strukturë psikologjike është ajo që, vite më vonë, do të shfaqej në mënyrë brutale në dëshmitë rreth Xhefri Epstinit [Jeffrey Epstein]: seks i organizuar, hierarki e rreptë, heshtje e garantuar dhe mbrojtje sistemike.
Maskat si mekanizëm mbijetese
Në psikologjinë sociale, maska është mjet adaptimi. Në Eyes Wide Shut ajo bëhet mjet mbijetese juridike dhe morale. Askush nuk ka emër, sepse emri sjell përgjegjësi. Askush nuk ka fytyrë, sepse fytyra prodhon empati.
Në Dosjen Epstin, maskat janë reale, por të padukshme: emra që nuk publikohen, dëshmi që relativizohen, figura publike që mbrohen nga heshtja institucionale. Mekanizmi është i njëjtë: anonimiteti nuk është mungesë identiteti, por luks pushteti. Kubriku e kuptonte këtë mekanizëm thellë. Psikologjikisht, ai sugjeron se elitat nuk janë amorale sepse janë të këqija, por sepse funksionojnë në një sistem ku morali është pengesë operative.
Kujtesa si kërcënim
Një nga temat qendrore të Kubrikut është kujtesa: ajo që duhet mbajtur mend dhe ajo që duhet harruar. Në Eyes Wide Shut, mesazhi është i qartë: të mbijetosh do të thotë të harrosh atë që ke parë. Nga pikëpamja psikologjike, harresa e imponuar është formë dhune. Ajo nuk fshin ngjarjen, por e zhvendos traumën në nënvetëdije. Dosja Epstin, me viktimat e saj që për vite me radhë u detyruan të heshtin, funksionon mbi të njëjtin parim: kujtesa është armiku kryesor i sistemit. Kubriku, si autor, duket se paralajmëron se pushteti modern nuk ka nevojë të mohojë të vërtetën; mjafton ta bëjë atë psikologjikisht të padurueshme.
Paralelizmi i dy vdekjeve, narrativë e dyshimit
Vdekja e Kubrikut, pak ditë pas dorëzimit të filmit të tij më të errët dhe vdekja e Epstinit në burg, në rrethana që vazhdojnë të prodhojnë mosbesim, nuk janë të barazueshme në fakt, por ato janë të krahasueshme në funksion narrativ.
Të dyja krijojnë një boshllëk, një ndjenjë se diçka mbetet e pathënë. Psikologjikisht, ky boshllëk është terreni ideal për lindjen e konspiracionit. Konspiracioni, në këtë kuptim, nuk është marrëzi kolektive, por reagim ndaj mungesës së transparencës.
Kubriku si diagnostikues, jo si komplotist
Lidhja më e ndershme midis Kubrikut dhe Dosjes Epstin nuk është faktike, por diagnostike. Kubriku nuk ekspozon individë; ai analizon struktura. Epstini nuk është arkitekti i sistemit, por simptoma e tij më e dukshme. Në këtë lexim, Kubriku del si një lloj psikanalisti i shoqërisë moderne: ai identifikon mekanizmat e shtypjes, ritualet e pushtetit dhe mënyrat se si elitat racionalizojnë dhunën e tyre morale.
Pushteti, nënvetëdija dhe normalizimi i dhunës
Për ta thelluar leximin e Kubrikut, është e nevojshme të zhvendosemi nga niveli narrativ në atë teorik. Në këtë pikë, vepra e tij mund të lexohet në dialog të drejtpërdrejtë me disa prej mendimtarëve kryesorë të shekullit XX.
Mishel Fuko [Michel Foucault] e koncepton pushtetin jo si pronë të një grupi të vetëm, por si rrjet marrëdhëniesh që prodhon norma, sjellje dhe heshtje. Eyes Wide Shut është një ilustrim vizual i këtij pushteti fukojan: askush nuk jep urdhra drejtpërdrejt, por të gjithë dinë çfarë nuk duhet bërë. Frika nuk imponohet; ajo internalizohet. Nga ana tjetër, Karl [Carl] Gustav Jung do ta quante botën e Kubrikut një manifestim të “hijes kolektive”. Elitat që veprojnë në errësirë nuk janë përjashtim moral i shoqërisë, por projeksion i impulseve të saj të shtypura. Rituali, maska dhe anonimiteti janë forma përmes të cilave hija merr legjitimitet social.
Hana [Hannah] Arendt, me konceptin e “banalitetit të së keqes”, ofron një tjetër çelës leximi. Në universin kubrikian, e keqja nuk kryhet nga monstra, por nga individë të zakonshëm që ndjekin rregullat e një sistemi. Në këtë kuptim, Dosja Epstin nuk trondit sepse zbulon monstruozitet, por sepse ekspozon normalitetin e tij funksional.
Psikanaliza e ritualit, nga Erosi te Thanatosi
Zigmund Frojdi [Sigmund Freud] e shihte seksualitetin si energji jetike – Eros – por, edhe si forcë që, kur kanalizohet në mënyrë patologjike, mund të lidhet me impulset shkatërruese – Thanatos. Në Eyes Wide Shut, Kubriku paraqet pikërisht këtë zhvendosje: seksi nuk prodhon lidhje, por disiplinë dhe frikë. Psikologjikisht, rituali seksual i elitave shërben për të transformuar dëshirën në instrument kontrolli. Viktima nuk është vetëm trupi i tjetrit, por edhe vetë subjekti, i cili humbet aftësinë për empati. Kjo dinamikë është qendrore edhe në dëshmitë e lidhura me Epstinin, ku seksi shndërrohet në monedhë pushteti.
Kujtesa, trauma dhe harresa e detyruar
Në teorinë e traumës, kujtesa e shtypur nuk zhduket, por rikthehet në forma të fragmentuara: ankth, faj, heshtje. Kubriku e përdor këtë mekanizëm si strukturë narrative. Personazhet e tij nuk çlirohen nga e vërteta; ata mësojnë të bashkëjetojnë me të. Shoqëria, në rastin e Dosjes Epstin ndjek të njëjtën logjikë: skandali trajtohet si episod, jo si simptomë. Harresa kolektive bëhet mjet stabilizimi. Kjo është arsyeja pse Kubriku mbetet aktual: ai nuk flet për skandalin, por për pasojat psikike të mbulimit të tij.
Pse Kubriku vazhdon të na shqetësojë?
Stenli Kubrik mbetet një figurë shqetësuese sepse nuk ofroi kurrë qetësim. Ai nuk besonte te pafajësia e pushtetit dhe as te shpëtimi përmes artit. Filmat e tij nuk kërkojnë të na bindin, por të na çekuilibrojnë, të na nxjerrin nga zona e sigurisë morale ku zakonisht strehohemi si spektatorë. Letërsia dhe kinemaja që e marrin seriozisht këtë instinkt nuk përpiqen ta denoncojnë, as ta moralizojnë. Ato vëzhgojnë. Dhe në atë vështrim të ftohtë, thuajse klinik, shfaqet paradoksi thelbësor: njeriu nuk shkatërrohet sepse dëshiron vdekjen, por sepse kërkon një qetësi absolute – një fund të tensionit, një pushim përfundimtar nga pasiguria e të jetuarit. Dosja Epstin nuk e shndërron Kubrikun në profet. Ajo thjesht e bën më të dukshme se bota që ai ndërtoi në ekran nuk ishte fantazi paranojake, por një realitet i përmbledhur, i kondensuar në formë psikologjike. Një botë ku pushteti nuk shfaqet si aksident, por si strukturë dhe ku e keqja nuk shpërthen, por funksionon.