Nervozës dhe ofendimeve ndaj një gruaje, ishin shkak që një 53 vjeçar zviceran, të dënohet nga Prokuroria e Schwyz.
Kjo pasi, në një tren që udhëtonte mes Richterswil dhe Pfäffikon, pak para orës 07:00 të mëngjesit, në nëntor të vitit të kaluar, një grua e moshuar iu drejtua burrit, i cili po fliste në telefon, duke i kërkuar të fliste më qetë.
Mirëpo, kërkesa e saj shkaktoi reagimin e ashpër të 53-vjeçarit.
Ai e ofendoi me fjalë fyese dhe më pas e kërcënoi se do ta rrihte “deri në palcë”. Situata u përshkallëzua edhe më tej, kur burri iu afrua vendit ku ishte ulur gruaja dhe u përkul mbi të në mënyrë kërcënuese.
Sipas autoriteteve, ai synonte ta pengonte gruan të zbriste nga treni.
Situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së një pasagjeri tjetër, i cili arriti të ndërpriste konfliktin dhe e moshuara zbriti nga treni.Për incidentin, Prokuroria e Schwyz e shpalli burrin fajtor për tentativë shtrëngimi, kërcënime dhe fyerje.
Ai u dënua me një gjobë me kusht prej 1,500 frangash zvicerane, një gjobë prej 370 frangash dhe detyrimin për të paguar 500 franga për shpenzimet gjyqësore.
Ky është është një nga rastet që ka rikthyer vëmendjen te siguria e pasagjerëve në transportin publik zviceran.
Kompania hekurudhore SBB deklaroi për median “Blue News” se nuk disponon shifra të sakta për numrin e rasteve kur pasagjerët kërcënohen apo ngacmohen në trena, pasi raportimet i drejtohen policisë dhe jo drejtpërdrejt kompanisë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, SBB pranon se situata është shqetësuese.
“Incidentet po bëhen gjithnjë e më serioze”, theksoi kompania, duke nënvizuar se siguria e udhëtarëve dhe punonjësve mbetet përparësi.
Për të përballuar këto raste, SBB mbështetet te më shumë se 200 efektivë të policisë së transportit, punonjësit e sigurisë së Transsicura, kamerat trupore dhe bashkëpunimi me policinë kantonale e atë komunale.
Tutje, SBB këshillon pasagjerët që përballen me kërcënime, ngacmime apo abuzime në tren ose në stacion të kontaktojnë sa më shpejt policinë e transportit.
Ajo mund të kontaktohet 24 orë në ditë në numrin 0800 117 117. Gjithashtu, në shumicën e trenave ka butona emergjence pranë hyrjeve të vagonëve, përmes të cilëve udhëtarët mund të lidhen drejtpërdrejt me qendrën e operacioneve të policisë së transportit./Telegrafi/