Imami Kerem Adigüzel ka shkaktuar reagime në Zvicër, pasi në një intervistë tregoi se është martuar me partneren e tij përmes një ceremonie fetare, pa e regjistruar martesën në gjendjen civile. Sipas ligjit zviceran, martesa fetare mund të bëhet vetëm pasi çifti të jetë martuar zyrtarisht.
Imami Kerem Adigüzel, 39 vjeç, i njohur për qëndrimet e tij liberale ndaj Islamit, është vënë në qendër të kritikave pas deklaratave për martesën e tij me partneren 41-vjeçare.
Në një intervistë për revistën “Magazin” të grupit mediatik Tamedia, ai tregoi se çifti kishte zhvilluar një ceremoni fetare, por nuk ishte martuar zyrtarisht në gjendjen civile.
“Martesa jonë islame ishte një moment thellësisht privat”, kishte deklaruar ai, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një zotim shpirtëror përpara Zotit, pa detyrime ligjore.
Megjithatë, sipas mediumit zviceran “Blick”, në Zvicër vlen parimi që martesa civile duhet të kryhet përpara asaj fetare. Për këtë arsye, një ceremoni fetare e zhvilluar pa martesë zyrtare nuk krijon status ligjor të martesës, transmeton Telegrafi.
Pas kritikave, Adigüzel ka sqaruar se ishte i vetëdijshëm për kërkesat ligjore në Zvicër dhe se vetë, kur kryen ceremoni martesore për të tjerët, respekton rregullat në fuqi.
Ai tha se në ceremoninë e tij private nuk kishte pasur askënd që ta kryente martesën fetare. Sipas tij, bëhej fjalë për një festim të lidhjes së tyre dhe jo për një martesë fetare në kuptimin formal.
Imami pranoi se në intervistë e kishte përdorur termin “martesë” për ta bërë më të kuptueshme për publikun atë që kishte ndodhur.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime edhe nga Anu Sivaganesan, presidente e qendrës zvicerane për çështjet e martesave të detyruara.
Ajo e cilësoi mesazhin e përcjellë nga deklaratat e imamit si problematik, duke theksuar se figurat fetare duhet të ndihmojnë në informimin e publikut për ligjet dhe rreziqet që lidhen me martesat e detyruara.
Sipas saj, shumë persona i konsiderojnë ceremonitë fetare si detyruese, edhe kur nuk kanë njohuri se ato nuk përbëjnë martesë të vlefshme ligjore në Zvicër. Kjo mund ta vështirësojë identifikimin e rasteve të martesave të detyruara, përfshirë ato që përfshijnë të mitur.
Nga ana e tij, Adigüzel ka theksuar se kundërshton martesat e detyruara dhe se ceremonia e përshkruar prej tij nuk kishte lidhje me praktika të tilla.
Rasti ka rikthyer debatin në Zvicër për dallimin mes lidhjeve shpirtërore dhe martesës me status juridik, si dhe për përgjegjësinë e figurave fetare në informimin e komuniteteve për ligjin./Telegrafi/