Një shkrim i Ben Blushit për filmat e rinj shqiptarë ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht për mënyrën se si ai e ka trajtuar kinematografinë, letërsinë dhe aktorët nga Kosova, shkruan Telegrafi.
Në tekstin “Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë”, Blushi pretendon se kinematografia bashkëkohore shqiptare është e zymtë, pa humor e aksion dhe tepër e përqendruar te varfëria dhe jeta në fshat.
Sipas tij, filmat e rinj shmangin jetën urbane dhe personazhet që mund ta frymëzojnë publikun. Ai kritikon edhe portretizimin e aktorëve, veçanërisht të grave, duke thënë se paraqiten qëllimisht të vrazhda, të trishtuara dhe pa elegancë.
Reagimet më të mëdha, megjithatë, i kanë nxitur komentet e tij për Kosovën.
Blushi pretendon se aktorët kosovarë luajnë personazhe nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por se publiku e ka të vështirë t’i kuptojë në filma. Ai e përshkruan kinematografinë kosovare si “një zymtësi pa mbarim”, ndërsa shkruan se asaj i mungojnë “madhështia dhe humori”.
“Kosovarizimi i këngëve tona ka qenë sukses, kosovarizimi i filmave është dështim”, shkruan Blushi.
Në fund, ai kritikon edhe modelin e financimit të filmave, duke pretenduar se regjisorët synojnë më shumë sigurimin e fondeve publike sesa tërheqjen e spektatorëve.
“Sukses quhet atëherë kur bind Qendrën e Filmit dhe jo spektatorin. Regjisorët mendojnë si buxhetistë përpara se të mendojnë si artistë”, shkruan ai në tekstin e publikuar nw profilin e tij në Facebook.
Regjisori Fatos Berisha i është përgjigjur Blushit përmes ironisë, me një tekst të titulluar “Pse janë kaq të shëmtuar filmat e Federico Fellinit?”.
Duke përmendur personazhet provincialë, të varfrit dhe njerëzit me pamje të pazakontë në veprat e regjisorit italian, Berisha argumenton se kinemaja nuk mund të gjykohet sipas standardeve të bukurisë fizike apo pamjeve turistike, shkruan Telegrafi.
“Njerëzit e varfër nga fshati mund të na bëjnë të qeshim. Madje mund të jenë edhe të bukur. Jo fizikisht. Njerëzisht”, shkruan Berisha.
Sipas tij, shkrimi i Blushit mund të lexohet si “snobizëm intelektual” dhe nostalgji estetike për disa tipare të realizmit socialist.
“Është një problem serioz për çdo person që mendon se bukuria e vendit duhet të jetë më e rëndësishme se e vërteta e personazhit në film”, thekson Berisha.
Edhe shkrimtarja Donika Dabishevci ka reaguar përmes një dialogu satirik, duke e paraqitur kritikën e Blushit ndaj kosovarëve si përpjekje për të fituar vëmendje.
“Çka bën Ben Blushi kur i bie vëmendja? Merret me kosovarët. Po kur do edhe më shumë vëmendje? I fyen e i përçmon”, shkruan ajo.
Dabishevci ironizon faktin se Blushi vjen në Kosovë për të promovuar libra, ndërsa publiku kosovar ia blen ato dhe e vlerëson me çmime.
“Kur e duartrokasin, ekziston; kur i sulmon, ekziston prapë. Halli fillon kur e harrojnë… E Beni s’do kurrsesi me u harrue”, përfundon ajo, transmeton Telegrafi.
Shkrimtarja Vlora Konushevci thotë se Blushi, në vend që t’i analizojë regjinë, skenarin, kamerën dhe aktorët, e përdor Kosovën si shpjegim për gjithçka që nuk i pëlqen te filmat.
“Filmat janë të zymtë se vijnë nga Kosova. Aktorët flasin çuditshëm se janë shqiptarë të Kosovës. Gratë nuk pispillosen, prapë Kosova”, shkruan ajo.
Sipas Konushevcit, Blushi arrin ta paraqesë Kosovën “edhe zhanër, edhe defekt estetik dhe përfundimisht diagnozë”.
Ajo e sfidon edhe përdorimin e termit “kosovarizimi i filmit”.
“Çka asht saktësisht kosovarizimi, Ben? Kur në film flet një shqiptar i Kosovës? Kur ka mal e jo Manhattan, traktor e jo Cadillac, gra pa taka e burra që nuk duken si mafiozë të bukur?”, pyet Konushevci./Telegrafi/.