Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Specializuar, Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës.
Sheholli ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe se e ndjen veten të pafajshëm.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Mentor Neziri ka bërë të ditur se mbrojtja tërhiqet nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës.
“Ne tërhiqemi nga e drejta e hudhjes së aktakuzës. Dëshirojmë të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor, posa Gjykata ta ketë mundësinë që ta shqyrtojë këtë seancë”, ka deklaruar avokati.
Në këtë mënyrë, mbrojtja ka kërkuar që procedura të vijojë sa më shpejt drejt shqyrtimit gjyqësor, pa shfrytëzuar afatin 30-ditor për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.
Në seancën fillestare është i pranishëm edhe Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit.