Saraji në Angli i miliarderit amerikan të naftës, i ndërtuar në shekullin XVI, ishte shtëpia e një koleksioni mahnitës arti dhe e një luani të quajtur Nero. Në vitin 1963, BBC-ja e vizitoi atje për të biseduar me të rreth “suksesit të tij të madh.”
Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në korrik të vitit 1960, J. Paul Getty organizoi një festë përuruese të shtëpisë së tij, me një kosto prej 10 mijë paundësh (rreth 300 paundë ose 400 mijë dollarë në vlerën e sotme), në Satën Plejs, sarajin Tudor të shekullit XVI në Sari, të cilin e kishte blerë një vit më parë. Më shumë se dy mijë figura të shoqërisë së lartë, aristokratë dhe të famshëm morën pjesë, ndërsa ngjarja bëri bujë në media kur një fotograf këmbëngulës i shtypit u hodh në pishinë
Nga frika e fluturimit ose udhëtimit me anije oqeanike, manjati amerikan i naftës jetoi aty deri në vdekjen e tij – në vitin 1976, në moshën 83-vjeçare. Ai instaloi telefona publikë me monedha për mysafirët e shtëpisë, që të mos bëjnë telefonata në distanca të gjata. Në vitin 1963, Alan Whickeri i BBC-së e intervistoi Gettyn në këtë rezidencë, e cila dikur kishte qenë rezidenca verore e Henrit VIII.
Pamjet arkivore zbulojnë botën e brendshme të miliarderit në një rezidencë të fortifikuar, ndërsa ai ecën pranë pikturave të Mjeshtërve të Vjetër dhe ha në një tavolinë rreth 4,9 metra të gjatë i shoqëruar vetëm nga qeni i tij roje, një deltar gjerman. Pikërisht nga kjo shtëpi e madhe fshati në Britani, dhe jo nga një rrokaqiell në Menheten apo nga pallati i një sundimtari në Lindjen e Mesme, Getty drejtoi perandorinë e tij të madhe të naftës në vitet e fundit të jetës.
Getty hyri në Librin e Rekordeve të Ginisit si njeriu më i pasur në botë në vitin 1966. E fitoi milionin e tij të parë në moshën 24-vjeçare, kur një tokë që zotëronte në Oklahoma nxori naftë. Në kohën e vdekjes së tij, pasuria e tij vlerësohej në rreth katër miliardë dollarë (rreth 23,5 miliardë dollarë ose 17,5 miliardë paundë në vlerën e sotme), dhe ai fitonte çdo ditë më shumë sesa fitonte një njeri mesatar gjatë gjithë jetës së tij. Një nga maksimat e manjatit për suksesin ishte: “Çohu herët, puno shumë dhe gjej naftë.” Në një seri artikujsh për revistën Playboy, që më vonë u botuan si libër me titull How to Get Rich [Si të bëhesh i pasur], Getty shtjelloi “rëndësinë e këndvështrimit të pavarur mbi gjërat dhe të mos ndikohesh nga ajo që thonë të tjerët.”
Megjithatë, duke reflektuar mbi pasurinë e tij në vitin 1963, ai nuk ishte në gjendje të përcaktonte saktësisht se çfarë e kishte bërë miliarder. “Dallimi midis një biznesmeni të suksesshëm dhe një biznesmeni ndoshta jo aq të suksesshëm është se, ndoshta, për një sukses të madh nevojiten 37 cilësi të ndryshme dhe, nëse një njeri i ka 35 prej tyre, ai arrin një sukses më modest. Por, cilat mund të jenë pikërisht ato dy cilësi që i mungojnë, këtë unë nuk e di.”
Kur Whickeri e pyeti pse ai kishte pasur sukses ndërsa të tjerët kishin dështuar, Getty u përgjigj: “Në të vërtetë, nuk e di ndonjë cilësi që kam unë e që shumë të tjerë nuk e kanë.” Duke përmendur cilësitë për të cilat mendonte se i kishte të njëjta me të tjerët, si etika e punës, inteligjenca dhe imagjinata, ai shtoi me vetironi: “Gjithmonë doja të kisha një personalitet më të mirë, të dija t’i argëtoja më mirë njerëzit dhe të isha një bashkëbisedues më i mirë. Gjithmonë shqetësohesha se mund të isha disi i mërzitshëm si shoqërues.”
Pavarësisht ngurrimit të tij për të veçuar një çelës të vetëm të suksesit, ai ia atribuonte një rol vendimtar të atit. “Kjo ndodhi sepse im atë kishte ndërtuar një biznes shumë të madh, një biznes të lulëzuar. Unë isha fëmija i vetëm dhe duhej ta vazhdoja atë biznes.”
Babai i Gettyt e kishte nisur jetën në varfëri, por në vitin 1903 bleu për pesë mijë dollarë (rreth 190 mijë dollarë ose 140 mijë paundë me vlerën e sotme) të drejtën e shfrytëzimit të 1 100 akrëve në Territorin Indian të Oklahomës dhe aty nafta u zbulua. Kur vdiq në vitin 1930, në moshën 74-vjeçare, pasuria e tij arrinte në 10 milionë dollarë (rreth 200 milionë dollarë ose 150 milionë paundë me vlerën e sotme). Si metodist dhe njeri më fetar se djali i tij i vetëm, ai i la Gettyt vetëm 500 mijë dollarë (rreth 10 milionë dollarë ose 7,5 milionë paundë me vlerën e sotme), i pakënaqur që ai ishte martuar dhe pastaj divorcuar.
Gjatë pesë martesave të tij jetëshkurtra, Getty pati pesë djem, të cilët më pas u bënë prindër të 19 fëmijëve. Njëri prej këtyre nipërve, John Paul Getty III, u rrëmbye në Itali në vitin 1973. Kur iu kërkua të paguante një shpërblim prej 16 milionë dollarësh (rreth 120 milionë dollarë ose 90 milionë paundë me vlerën e sotme), gjyshi i tij refuzoi, duke thënë: “Unë kam edhe 14 nipër e mbesa të tjerë dhe, nëse paguaj edhe një qindarkë tani, atëherë do të kem 14 nipër e mbesa të rrëmbyer.” Nipi i Gettyt, atëherë 16 vjeç, u mbajt peng për pesë muaj dhe rrëmbyesit ia prenë njërin vesh, të cilin ia dërguan një gazete. Në fund u pagua një shpërblim prej 2,8 milionë dollarësh (rreth 21 milionë dollarë ose 16 milionë paund me vlerën e sotme), por nuk u bë e ditur se sa kishte kontribuar Getty.
Në vitin 1963, miliarderi foli edhe për koprracinë e tij, duke përmendur se priste jashtë një ekspozite qensh derisa tarifa e hyrjes të ulej me dy ose tre shilinga, si dhe se hante vonë në restorante për të shmangur pagesën shtesë për orkestrën. “Asnjëherë nuk e kam pasur ndjesinë se isha i mbushur me para,” i tha ai Whickerit.
Megjithatë, Getty e rrethoi veten me simbole të pasurisë. Koleksioni i Mjeshtërve të Vjetër në Satën Plejs, në rezidencën e tij me 72 dhoma, përfshinte piktura nga Veronese, Gainsborough, Renoir, Rembrandt dhe Rubens. Koleksioni i tij prej më shumë se 600 objektesh ruhej gjithashtu në fermën e tij në Malibu, e cila u hap për publikun në vitin 1954 si Muzeu “J. Paul Getty.”
Ai gjithashtu e ndiente veten mjaftueshëm të rrezikuar sa ta fortifikonte rezidencën e tij Tudor pasi e bleu atë në vitin 1959, pas viteve të tëra gjatë të cilave e kishte drejtuar biznesin nga suitat e hoteleve në Londër dhe Paris. Çdo dhomë, përfshirë secilën prej 14 banjove, ishte e lidhur me një sistem të ndërlikuar sigurie, ndërsa dritaret dhe dyert ishin të pajisura me hekura. Në të gjithë pronën prej 700 akrësh, me dy pishina, u vendosën tabelat me mbishkrimin “Ndalohet hyrja,” ndërsa prona përfshinte edhe 30 vila e bujtina, fusha tenisi dhe një përrua me trofta.
Getty shmangej të tregonte saktësisht se nga çfarë kishte frikë, duke i thënë Whickerit: “Nuk do të thosha se kam frikë nga diçka e veçantë. Është thjesht, besoj, një masë e nevojshme paraprake.” Kur u pyet më tej, ai shpjegoi se mund të kishte “njerëz të çmendur … që mund ta hidhnin vendin në erë,” duke shtuar: “Qentë e policisë i mbaj kryesisht sepse më pëlqejnë.”
Nipi i tij, John Paul Getty III, foli për këtë frikë në një intervistë për revistën Rolling Stone në vitin 1974, pak pas rrëmbimit të tij. “Shumë gjëra e frikësojnë. Prandaj, ai rri gjithë kohën në kështjellën e tij … Ka qen sulmues që patrullojnë pronën, një luan shtëpiak të quajtur Nero që endet vërdallë, si edhe truproja dhe ndihmës. Gardhet rreth kështjellës janë të elektrifikuara dhe në majë kanë tela me gjemba.”
Përveç njerëzve që e shoqëronin, miliarderi, i njohur për jetën e tij të tërhequr, ishte një njeri i vetmuar. Megjithatë, ai tha në vitin 1963: “Nuk do të thosha se jam ndier ndonjëherë veçanërisht i vetmuar. Kam qenë tepër i zënë për t’u ndier i vetmuar … si ketri në kafaz. Vrapon që të mbetesh aty ku je.” Megjithatë, ai nuk ishte një njeri veçanërisht optimist, duke argumentuar se “përgjegjësitë e mëdha financiare nuk janë ndonjë çelës i gëzimit.”
Kur Whickeri i tha se ai shpesh dukej aq i palumtur saqë njerëzit duhej të besonin se paratë nuk i kishin sjellë lumturinë, Getty u përgjigj: “Epo, besoj se ky është efekti i përgjegjësisë. Mendoj se qëkur vdiq im atë dhe më la përgjegjësinë e biznesit, nuk e kam pasur më atë ndjenjë gjallërie që kisha më parë.”
Duke folur për barrën e pasurisë, ai shpjegoi: “Mendoj se disa nga çastet më të bukura që kam përjetuar nuk më kanë kushtuar asnjë para … poshtë në plazh, mbi dërrasën e sërfit, duke pritur të vinte një valë e madhe, ta hipja dhe të dilja me të në breg, pa shpenzuar asnjë para. Valët janë falas. Dielli është falas.” /Telegrafi/
