Operacioni i kërkim–shpëtimit për gjetjen e Yll Hisenit, 18 vjeçar nga fshati Brod i komunës së Shtërpcës, ka përfunduar me sukses.
Lajmi është konfirmuar nga Shoqata e Kosovës për Kërkim–Shpëtim, e cila njoftoi se ekipet, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe autoritetet kompetente, kanë arritur ta lokalizojnë dhe gjejnë të riun.
“Operacioni i Kërkim–Shpëtimit për gjetjen e personit Yll Hiseni ka përfunduar me sukses. Ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim–Shpëtim, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet kompetente, kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta gjejnë personin e kërkuar”.
“Falënderojmë të gjitha njësitë e angazhuara për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë”, thuhet në njoftim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi gjendjen shëndetësore të të riut, por konfirmojnë se ai është gjetur dhe se operacioni ka përfunduar pa incidente. /Telegrafi/