Një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë të dielën se grupi palestinez ishte në fazën përfundimtare të zgjedhjes së një udhëheqësi të ri, me dy figura të shquara që konkurrojnë për këtë pozicion.
Hamasi kohët e fundit përfundoi formimin e një Këshilli të ri Shura, një organ konsultativ i përbërë kryesisht nga studiues fetarë, si dhe një byro të re politike, tha zyrtari.
Që kur filloi lufta në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, forcat izraelite kanë vrarë disa nga udhëheqësit e lëvizjes, përfshirë dy ish-krerë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Lëvizja ka përfunduar zgjedhjet e saj të brendshme në të tre rajonet dhe ka arritur në fazën përfundimtare të zgjedhjes së kreut të byrosë politike”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Ai shtoi se gara për udhëheqjen e grupit tani është midis Khaled Meshaal dhe Khalil al-Hayya.
Një burim i dytë i Hamasit konfirmoi zhvillimin.
Pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të që hyri në fazën e dytë muajin e kaluar, dhuna ka vazhduar në Gaza, me Izraelin dhe Hamasin që fajësojnë njëri-tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.
Anëtarët e këshillit zgjidhen çdo katër vjet nga përfaqësuesit e tre degëve të Hamasit: Rripi i Gazës, Bregu Perëndimor i pushtuar dhe udhëheqja e jashtme e lëvizjes.
Të burgosurit e Hamasit në burgjet izraelite kanë gjithashtu të drejtë vote.
Këshilli më pas zgjedh byronë politike, e cila nga ana tjetër zgjedh kreun e lëvizjes.
Ndërkohë, një burim i tretë i Hamasit tha se udhëheqësi i ri do të shërbejë vetëm për “një vit… një periudhë kalimtare”.
Mijëra anëtarë të Hamasit votuan për të zgjedhur këshillin dhe byronë politike, shtoi burimi, pa specifikuar se si u zhvillua votimi.
“Qëllimi kryesor i procesit ishte të rinovohej legjitimiteti i brendshëm dhe të mbusheshin vendet bosh të udhëheqjes”, ka shtuar burimi.
Siç kujtojnë mediat, udhëheqësi i ri do të duhet “të lundrojë” midis thirrjeve ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, që grupi të çarmatoset, dhe rezistencës ndaj kësaj kërkese nga krahu i tij i armatosur, i cili luftoi forcat izraelite në Gaza.
Megjithatë, Hamasi tha se do t’ia dorëzonte armët një autoriteti palestinez në Gaza në kushte të caktuara.
Siç theksohet më tej, Meshaal ashtu edhe al-Hayya kanë vite përvojë brenda lëvizjes. /Telegrafi/