Fenerbahçe ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit francez Mattéo Guendouzi nga Lazio, i cili ka nënshkruar kontratë 4.5-vjeçare me klubin nga Stambolli.
26-vjeçari vjen si një përforcim i rëndësishëm për repartin e mesfushës, duke sjellë përvojë të madhe nga kampionatet elitare evropiane dhe paraqitjet me Kombëtaren e Francës.
Drejtuesit e klubit e kanë cilësuar Guendouzin si një lojtar me mentalitet luftarak dhe karakter të fortë në fushë, profil që përputhet me vizionin e ndërtimit të një skuadre konkurruese dhe ambicioze. Te Fenerbahçe besojnë se francezi do të ketë rol kyç në realizimin e objektivave sportive në vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij, Guendouzi u shpreh i emocionuar për këtë hap të ri në karrierë, duke premtuar maksimumin e tij.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që jam këtu. Fenerbahçe është një nga klubet më të mëdha në botë, me histori të jashtëzakonshme. Mezi pres të luaj para tifozëve tanë dhe të përjetoj atmosferën e tyre”.
“Tifozët mund të jenë të sigurt se në fushë do të jap gjithçka për këtë fanellë. Shpresoj që së bashku të arrijmë fitore, trofe dhe suksese të mëdha”, deklaroi ai në momentet pas nënshkrimit të kontratës.
Ferenbahce kërkon ta kthejë titullin e kampionit dhe këtë vit është në garë me Galatasarayn dhe Trabzonsporin.
Feneri është i dyti me 39 pikë, tri më pak se Galatasaray që është lider dhe Guendouzi shihet si përforcim i duhur për të ndjekur titullin. /Telegrafi/