Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur sot deklaratën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në paraqitjen e saj përmbyllëse, ZPS-ja i kërkoi Trupit Gjykues që t’i shpallë fajtorë të katër të akuzuarit për të gjitha pikat e Aktakuzës, duke argumentuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale për krimet e pretenduara.
Prokuroria kërkoi që secili prej të akuzuarve të dënohet me nga 45 vjet burgim.
Pas përfundimit të deklaratës së Prokurorisë, fjala i kaloi Mbrojtësit të Viktimave, i cili ka nisur paraqitjen e deklaratës së tij përmbyllëse, duke përfaqësuar interesat dhe kërkesat e viktimave të përfshira në këtë proces.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me deklaratat përfundimtare të palëve mbrojtëse në ditët në vijim, përpara se Trupi Gjykues të tërhiqet për vendimmarrje. /Telegrafi/