Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka bërë të ditur se zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë ndikuar në stabilizimin e përkohshëm të tregjeve të naftës.
Sipas tij, armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, si dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit, kanë ulur tensionet në tregjet globale.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime”, ka thënë Berjani.
Ai theksoi se indekset ndërkombëtare si USOIL dhe Brent kanë shënuar stabilizim në orët e fundit, por paralajmëroi se ky mund të jetë një efekt afatshkurtër.
“Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, ka shtuar ai.
Berjani ka theksuar se zhvillimet në tregjet globale të energjisë vazhdojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në çmimet e derivateve në Kosovë.