Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi sot në Kuvend, lidhur me zhvillimet e fundit në Prokurorinë Publike dhe veprimet e kryeprokurorit të ri.
Snopçe rikujtoi se Aleanca për Shqiptarët ishte e vetmja forcë politike që votoi kundër zgjedhjes së Nenad Savevskit, duke e cilësuar atë si një vendim tërësisht politik nga ana e shumicës parlamentare.
“Që në fillim paralajmëruam se nuk kemi besim në këtë përzgjedhje dhe se bëhet fjalë për një përpjekje për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Sot, zhvillimet e fundit po e konfirmojnë këtë,” deklaroi ai.
Snopçe ngriti shqetësimin për atë që e quajti “krim institucional”, duke vlerësuar se në vend nuk kemi më raste të izoluara korrupsioni, por një sistem të tërë të kapur. Sipas tij, institucionet funksionojnë si “enë të lidhura”, ku shkeljet në një institucion mbulohen nga tjetri, ndërsa drejtësia përdoret për qëllime politike.
Ai shtoi se, megjithëse kishte shpresë që kryeprokurori i ri të vepronte në mënyrë të pavarur, zhvillimet e fundit në Prokurorinë Publike tregojnë të kundërtën dhe përforcojnë bindjen se bëhet fjalë për një emërim politik në shërbim të pushtetit.
Snopçe u bëri thirrje të gjithë atyre që, sipas tij, e kritikuan Aleancën për Shqiptarët për votën kundër, që të reflektojnë dhe të kërkojnë falje para qytetarëve.
“Ky nuk ishte një qëndrim politik, por parimor: ose je me drejtësinë, ose je me kontrollin politik të saj,” përfundoi deputeti Halil Snopçe.