Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, reagoi pasi mediat amerikane ABC raportuan se ekziston një “kërcënim i vërtetë” nga sulmet me dron nga Irani ndaj Kalifornisë.
Deklarata e Leavitt bie në kundërshtim me pohimet e gjertanishme të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
ABC raportoi se FBI-ja kishte dërguar një paralajmërim për stacionet policore në Kaliforni për një “sulm të mundshëm me dron iranian” në bregun perëndimor të SHBA-së.
Leavitt e mohoi këtë raport, duke thënë se duhet të tërhiqet menjëherë kjo histori.
“Ata bazuan tekstin në një e-mail ku disa stacione policore u informuan për një informacion të pa verifikuar. Edhe në e-mail thuhet se është informacion i pa verifikuar, por ABC nuk shkroi asnjë fjalë për këtë”, shkroi ajo në platformën X.
Megjithatë, fjalia e saj e fundit tërhoqi vëmendje, pasi ajo deklaroi diçka krejtësisht të kundërt me deklaratat e Trump.
“Për të qartësuar: Nuk ekziston asnjë kërcënim nga Irani ndaj vendit tonë, dhe asnjëherë nuk ka ekzistuar”, pohoi Leavitt.
Deklarata shkaktoi shpejt shumë reagime, kryesisht sepse arsyetimi kryesor i Trumpit për të hyrë në luftë me Iranin ishte pikërisht “kërcënimi” nga një sulm i këtij vendi ndaj territorit të SHBA-së.
Mes reagimeve ra ai i senatorit Chris Murphy, i cili komentoi në mënyrë sarkastike pranimin e Leavitt.
“Kjo është fantastike. Leavitt e ka thënë qartë se Irani nuk përbën kërcënim për SHBA-në, por ne kemi rritje masive të çmimeve të karburantit dhe gjithçkaje tjetër. E vështirë për t’u kuptuar”, tha Murphy. /Telegrafi/