Është zbuluar se një metabolit mikrobial, i quajtur trimetilaminë (TMA), është në gjendje ta “çarmatosë” inflamacionin, duke ofruar kështu një strategji të re premtuese për trajtimin e diabetit
Ky zbulim është rezultat i një studimi të realizuar nga studiues të Université catholique de Louvain.
Zbulimi i rolit të inflamacionit në diabet
Një ekip ndërkombëtar kërkues ka identifikuar një aleat të papritur në luftën kundër rezistencës ndaj insulinës dhe diabetit të tipit 2. Studimi, i publikuar në revistën Nature Metabolism, tregon se TMA, e prodhuar nga bakteret e zorrëve nga kolina e marrë përmes ushqimit, mund të bllokojë një rrugë kyçe imunitare dhe të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak.
Ky zbulim i rëndësishëm i ka rrënjët rreth 20 vjet më parë. Gjatë kërkimit të tij postdoktoral, prof. Patrice Cani nga Imperial & University of Louvain zbuloi se një dietë e pasur me yndyra çon në praninë e komponentëve bakterialë në organizëm, gjë që aktivizon sistemin imunitar dhe nxit inflamacionin, proces që në fund shkakton rezistencë ndaj insulinës te personat me diabet. Ky zbulim, i cili në vitin 2005 konsiderohej i pabesueshëm, sot është konfirmuar dhe pranuar gjerësisht nga komuniteti shkencor.
Në vitin 2025, studiues nga University of Louvain dhe Imperial College London zbuluan se si mund t’i kundërvihen këtij procesi. Ata vunë re se TMA, e prodhuar nga bakteret e zorrëve nga një përbërës ushqyes natyral – kolina, e pranishme në disa ushqime, mund të përmirësojë ndjeshëm kontrollin e glukozës në gjak.
Si e bllokon trimetilamina (TMA) reagimin e dëmshëm imunitar?
Trimetilamina vepron duke bllokuar reagimin e dëmshëm imunitar, si një inhibitor natyral i proteinës IRAK4, një komponent kyç i sistemit imunitar. Normalisht, kur organizmi ekspozohet ndaj një diete të pasur me yndyra, IRAK4 “ngre alarmin” dhe nxit inflamacionin për të sinjalizuar një çekuilibër ushqimor. Por në kushte mbingarkese të vazhdueshme, siç ndodh te diabeti i tipit 2 – IRAK4 reagon në mënyrë të tepruar, duke shkaktuar një kaskadë inflamatore që çon në rezistencë ndaj insulinës.
Duke kombinuar modele qelizash njerëzore, studime te minjtë dhe skrining molekular të synuar, shkencëtarët zbuluan se TMA mund të lidhet drejtpërdrejt me IRAK4 dhe të bllokojë aktivitetin e saj. Efekti i drejtpërdrejtë është ulja e inflamacionit të shkaktuar nga yndyrat dhe rikthimi i ndjeshmërisë ndaj insulinës. Në thelb, TMA “riprogamon” përgjigjet negative metabolike të nxitura nga një dietë e pashëndetshme. Akoma më mbresëlënëse është se kjo molekulë ka treguar se mund të parandalojë edhe vdekshmërinë e shkaktuar nga sepsa te minjtë, duke frenuar inflamacionin e përhapur.
Implikimet për trajtimin e diabetit
– Ky zbulim tregon se si ushqimi dhe mikrobet tona të zorrëve mund të bashkëpunojnë, duke prodhuar molekula që luftojnë inflamacionin dhe përmirësojnë shëndetin metabolik, thekson prof. Patrice Cani, një nga drejtuesit e studimit në University of Louvain, Belgjikë.
Ekipi i studiuesve vuri re gjithashtu se fshirja gjenetike e IRAK4 ose bllokimi i saj farmakologjik riprodhon efektet pozitive të metabolitit bakterial. Kjo hap rrugë të reja terapeutike për diabetin, duke synuar IRAK4, një objektiv tashmë i validuar në industrinë farmaceutike.
– Kjo e ndryshon narrativën. Ne kemi treguar se një molekulë e prodhuar nga mikrobet tona të zorrëve mund të na mbrojë nga efektet e dëmshme të një diete të keqe, përmes një mekanizmi të ri, thekson prof. Marc-Emmanuel Dumas nga Imperial College London & CNRS.
Me më shumë se 500 milionë njerëz të prekur nga diabeti në mbarë botën, identifikimi i TMA-së si një sinjal mikrobial që modulon imunitetin mund të hapë rrugën për trajtime të reja. Strategjitë ushqimore ose barnat e formuluara për të rritur prodhimin e TMA-së mund të ofrojnë një qasje të re në luftën kundër rezistencës ndaj insulinës dhe ndërlikimeve të saj.
– Ajo që hamë formëson mikrobet tona, dhe disa nga molekulat e tyre mund të na mbrojnë nga diabeti. Kjo është ushqyerja në veprim, përfundon profesori Cani. /Telegrafi/