Gjatë fazës REM truri është më aktiv dhe prodhon ëndrrat më të shpeshta
Ëndrrat janë pasqyrim i nënvetëdijes sonë dhe çdo natë ëndërrojmë diçka. Edhe pse me siguri nuk i kujtojmë të gjitha, njerëzit mesatarisht ëndërrojnë katër deri në gjashtë herë gjatë natës.
Më së shumti ëndërrojmë gjatë fazës REM të gjumit (lëvizje të shpejta të syve), sepse është periudha kur truri ynë është më aktiv. Nëse flini tetë orë, ka shumë gjasa që të ëndërroni rreth 100 minuta gjatë natës.
Lloji më i shpeshtë i ëndërrimit
Pesë llojet kryesore të ëndrrave janë: ëndrrat normale, ëndërrimi me sy hapur, ëndrrat e rreme të zgjimit, ëndrrat e kthjellëta (lucide) dhe makthet.
Ëndrrat normale janë lloji më i zakonshëm dhe zakonisht përmbajnë përvoja dhe persona që i njohim. Gjatë këtyre ëndrrave nuk jemi të vetëdijshëm se po ëndërrojmë dhe shpesh i harrojmë sapo zgjohemi.
Kur e kujtoni një ëndërr normale, ajo mund të shërbejë si një dritare drejt nënvetëdijes suaj. Mund të ekzistojë një frikë, kujtim, përvojë apo person që ka më shumë ndikim tek ju sesa keni menduar më parë. Megjithatë, mund të nevojitet pak reflektim për ta kuptuar vërtet kuptimin e saj, pasi ëndrrat shfaqen përmes imazheve të koduara.
Për shembull, një ëndërr për mbytje mund të tregojë se po përballeni me rrethana ose emocione dërrmuese, të cilat ende nuk dini si t’i menaxhoni, shkruan The List, përcjell Telegrafi.
Si mund të ndikoni pozitivisht në ëndrrat tuaja?
Gjëja më e mirë që mund të bëni për gjumin dhe ëndrrat tuaja është të krijoni një rutinë qetësuese dhe të qëndrueshme para gjumit. Nëse është e mundur, është veçanërisht e dobishme të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë dhe të shmangni dritën blu nga ekranet, filmat horror dhe çdo gjë që mund të ndikojë negativisht tek ju.
Meditimi, mbajtja e një ditari dhe leximi i një libri janë rutina relaksuese dhe produktive para gjumit, të cilat mund t’ju çojnë drejt një përvoje më të mirë të gjumit. /Telegrafi/