Në fillim të kësaj jave u konfirmua se Barcelona do të rikthejë Joao Cancelon me huazim për pjesën e mbetur të sezonit.
Një marrëveshje është arritur me Al Hilal, dhe në ditët në vijim ai pritet t’i bashkohet skuadrës së Hansi Flick.
Në javët e fundit, Cancelo u shfaq si një opsion real për Barcelonën, pasi u bë e qartë se ai do të largohej nga Al Hilal.
Interi ishte favorit për ta nënshkruar, por me faktin që portugezi gjithmonë ka prioritet kthimin në Kataloni, liderët e La Ligës u vendosën në një pozitë të favorshme për ta marrë lojtarin, nëse marrëveshja do të ishte e qëndrueshme financiarisht.
Flick gjithashtu duhej të miratonte këtë lëvizje, gjë që ai e bëri. Sipas Sport, ai kishte disa arsye për këtë vendim, me më të rëndësishmen që tani e konsideron skuadrën e tij me thellësi të mirë në departamentin defensiv.
Cancelo është në gjendje të luajë në të dyja pozicionet e mbrojtësit të krahut, gjë që do të krijojë konkurrencë të fortë për vendet e titullarit për Jules Kounde dhe Alejandro Balde.
Për më tepër, francezi mund të konsiderohet edhe si një opsion për të luajtur në qendër të mbrojtjes, diçka që Flick do të shqyrtojë gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Në të njëjtën kohë, kjo konfirmon edhe kalimin e përhershëm të Gerard Martin në rol qendërmbrojtësi, ndërsa Cancelo tani do të konkurrojë me Balde për vendin e majtë në mbrojtje./Telegrafi/