Në një incizim nga arkivi i BBC-së i vitit 1936, arkeologu Howard Carter përshkruan momentin e 12 shkurtit 1924, kur ai dhe ekipi i tij u bënë njerëzit e parë të cilët pas 3300 vjetëve u përballën me mbretin djalosh egjiptian.
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: ‘A gasp of wonderment escaped our lips’: The dazzling discovery of Tutankhamun’s tomb)
Përkthimi: Telegrafi.com
“Tridhjetë e tre shekuj kishin kaluar nga hera e fundit kur këmbët e njeriut kishin shkelur mbi dyshemenë ku qëndronim ne, dhe megjithatë rreth nesh kishte shenja të jetës së fundit”.
Nëntëdhjetë vjet më vonë, vetë zëri anglez i Howard Carterit tingëllon pothuajse si një relike e lashtë. Kur ai foli në radion e BBC-së në vitin 1936, kishin kaluar 14 vjet qëkur kishte zbuluar për herë të parë varrin e Tutankamonit [Tutankhamun], të mbushur me thesare. Zbulimi pothuajse i mrekullueshëm i varrit të paprekur të mbretit djalosh, nga Carteri dhe ekipi i tij i ekspertëve, e bëri atë të famshëm në mbarë botën dhe ndezi një mani për gjithçka që lidhej me Egjiptin e lashtë.
Duke folur në një program që rikujtonte ngjarjet e vitit 1924, ai e përshkroi ndjesinë e çuditshme që përjetoi më 12 shkurt të atij viti, kur më në fund arritën te sarkofagu i Tutankamonit, arkivoli prej guri ku faraoni kishte qëndruar i paprekur për mijëra vjet. Kur ai përmend hollësi të tilla si “një tas gjysmë i mbushur me llaç, një llambë e nxirë nga tymi, copëzat e drurit të lëna në dysheme nga një marangoz i pakujdesshëm”, ndjenja e tij e mahnitjes duket po aq e gjallë si më parë.
Lexo po ashtu:
– Mania e njerëzve për mumjet
– Egjiptianët e lashtë dhe bota e përtejme
– Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
– Mallkimi i Faraonit: Mitet dhe realiteti i varreve egjiptiane
– Misteret e pazgjidhura rreth varrit të faraonit Tutankamon
– YouTube
“Kishim depërtuar në dy dhoma, por kur arritëm te një faltore e artë me dyer të mbyllura dhe të vulosura”, tha ai, “kuptuam se do të dëshmonim një pamje të tillë të cilën asnjë njeri tjetër i kohës sonë nuk kishte pasur privilegjin ta shihte”. Ai hoqi vulën e çmuar dhe hapi derën për të zbuluar një faltore të dytë, “edhe më të shkëlqyer në mjeshtërinë e saj se e para”.
Kur dera u hap ngadalë, ai u përball me një “sarkofag të madh prej kuarci të verdhë”. Nuk kishte zgjidhje tjetër pa ngritur kapakun e tij prej guri, i cili peshonte rreth 2 500 paundë ose 1 130 kilogramë. Një audiencë VIP-ash dhe personalitetesh shikonin ndërsa një sistem i ndërlikuar rrotullash e ngriti kapakun. Kur Carteri hoqi gurin, drita hyri në arkivol. “Një gulçim habie na doli nga buzët, aq madhështore ishte pamja që u shfaq para syve tanë”, tha ai. “Një figurë e artë e mbretit të ri, e punuar me mjeshtëri të jashtëzakonshme, mbushte gjithë brendësinë; por, ky ishte vetëm kapaku i një vargu prej tre arkivolesh, të vendosur njëri brenda tjetrit, që mbyllnin mbetjet mortore të mbretit të ri Tutankamon”.
Megjithëse bëri një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike në botë, Carteri kishte lënë shkollën në moshën 15-vjeçare dhe nuk kishte trajnim formal. Falë talentit të tij për vizatim, një familje aristokrate vendase – që jetonte pranë shtëpisë së tij në fshatrat e Norfolkut – e mori nën kujdes adoleshentin e vetmuar. Shtëpia e familjes Amherst, Didlington Hall, kishte koleksionin më të madh privat të objekteve egjiptiane në Britani dhe ai u magjeps nga historitë e tyre. Në moshën 17-vjeçare, aftësia e tij artistike i siguroi punë në Egjipt si vizatues dhe kopjues skicash. Ai mbërriti gjatë një periudhe të bumit për arkeologjinë, pjesa më e madhe e së cilës financohej prej amatorëve të pasur dhe aristokratëve britanikë. Për më shumë se dy dekada ai u formua duke mësuar për këtë punë.
Zbulimi mahnitës i varrit të Tutankamonit i detyrohej shumë edhe fatit. Carteri kishte punuar për vite me radhë me pak sukses në Luginën e Mbretërve, një zonë në perëndim të Nilit që përdorej nga egjiptianët e lashtë si vendvarrim kryesor për faraonët. Hyrja e varrit kishte qenë për një kohë të gjatë e fshehur nga shtresa të mbeturinave të lashta, duke e mbajtur atë jashtë qasjes – si të grabitësve të varreve, ashtu edhe të arkeologëve.
Lindi kulti i Mbretit Tut
Përparimi erdhi në nëntor të vitit 1922, kur Carteri mbajti një qiri dhe hodhi sytë në errësirë përmes një vrime të vogël të gdhendur në një derë. Duke pritur me ankth aty pranë, mbështetësi i tij i pasur, Lord Carnarvoni, e pyeti nëse mund të shihte ndonjë gjë. Legjenda thotë se Carteri u përgjigj: “Po, gjëra të mrekullueshme”. Në ditarin e gërmimeve ai shkroi: “Ndërsa sytë e mi u mësuan me dritën, hollësitë e dhomës dolën ngadalë nga mjegulla. Kafshë të çuditshme, statuja dhe ar. Kudo shkëlqimi i arit”.
Të gjitha këto thesare kishin për qëllim ta shoqëronin Tutankamonin në jetën e përtejme. Faraoni i njëmbëdhjetë i dinastisë së 18-të të Egjiptit, Tutankamoni, ishte rreth 17 vjeç kur vdiq. Mendohet se ai trashëgoi fronin në moshën tetë ose nëntëvjeçare. Shkaku i vdekjes mbetet i pasigurt, me teori që variojnë nga një atentat deri te një aksident gjatë gjuetisë.
Më 12 shkurt 1924, Howard Carteri arriti te arkivoli i gurtë i Tutankamonit, ku faraoni kishte qëndruar i paprekur për mijëra vjet.(Alamy)
Zbulimi i nëntorit 1922 ishte vetëm fillimi, duke zbuluar atë që Carteri e përshkroi si paradhomë – një dhomë të vogël të jashtme. U deshën edhe 15 muaj të tjerë që ekipi të arrinte te sarkofagu. Kur gazeta The Times botoi ekskluzivitetin botëror për “atë që premton të jetë zbulimi më sensacional egjiptologjik i shekullit”, lindi kulti i Mbretit Tut. Egiptomania përfshiu vitet ’20 të shekullit XX, duke frymëzuar gjithçka – nga moda dhe dizajni Art Deco i zbukuruar me motive piramidash dhe zambakësh, deri te filmat pa zë dhe këngët e xhazit. Carteri dhe Carnarvoni u bënë figura të famshme ndërkombëtare.
Megjithatë, vetëm pak muaj pas zbulimit të madh, fati i Carnarvonit u shua kur ai vdiq nga helmimi i gjakut pas një pickimi insekti. Vdekja e tij i dha historisë së Tutankamonit një hov të ri, ndërsa tregimet për mallkimin e mumjes dhe hakmarrjen e Tutit shtuan mitet që po rriteshin rreth zbulimit.
E gjithë kjo po ndodhte në një kohë trazirash politike në Egjipt. Vendi kishte qenë i pushtuar nga forcat britanike që nga viti 1882, por në fillim të vitit 1922 fitoi një pavarësi të pjesshme. Carteri punonte me lejen e qeverisë egjiptiane, e cila priste që antikitetet më të çmuara të shkonin në Kajro, në kryeqytet. Me një temperament të vështirë, ai kishte shpesh marrëdhënie të tensionuara me Shërbimin e Antikiteteve të Egjiptit, i cili mbikëqyrte punën e tij të gërmimeve. Tutankamoni u bë simbol i përpjekjes së vendit për t’u çliruar nga ndikimi kolonial, dhe shumë egjiptianë që kishin ndarë dijet dhe njohuritë e tyre vendore u lanë jashtë rrëfimit. Përveç punëtorëve që pastruan vendin e varrit, Carteri punoi edhe me kryepunëtorë të aftë si Ahmed Gerigar, Gad Hassan, Hussein Abu Awad dhe Hussein Ahmed Said.
Trupi i mumifikuar i Tutankamonit mbeti në Luginën e Mbretërve, por shumë nga thesaret e tjera u dërguan fillimisht në Muzeun e Kajros. Midis tyre ishin dy bori, një prej argjendi dhe një prej bronzi, të cilat në vitin 1939 do të bëheshin pjesë e një programi të jashtëzakonshëm radiofonik të BBC-së. Producenti pionier i radios, Rex Keating, arriti të bindte Shërbimin e Antikiteteve të Egjiptit që të lejonte BBC-në të transmetonte një tingull që nuk ishte dëgjuar për tre mijë vjet. Në një dokumentar të BBC-së të vitit 2011, për këtë transmetim, arkeologia Christina Finn tha: “Ideja për të luajtur realisht në borinë tre mijë vjet të vjetër, sot nuk do të merrej fare në konsideratë, por në periudhën entuziaste të arkeologjisë, në fillim të shekullit XX, kishte pak hezitime të tilla”.
Muzikanti i zgjedhur për të performuar për rreth 150 milionë dëgjues në mbarë botën, ishte instrumentisti ushtarak James Tappern. Para se të fillonte, Keatingu i paralajmëroi dëgjuesit se asnjëra prej borive nuk ishte e lehtë për t’u interpretuar. Por, nuk kishte pse të shqetësohej, sepse tingulli drithërues i të dy instrumenteve të lashta u dëgjua fortë dhe qartë. Keatingu i lehtësuar e përfundoi programin me një ton dramatik: “Pas një heshtjeje prej më shumë se tre mijë vjetësh, këta dy zëra nga e kaluara e lavdishme e Egjiptit kanë jehuar nëpër botë”. Carteri nuk jetoi për ta dëgjuar atë transmetim, pasi kishte vdekur nga kanceri disa javë më parë, në moshën 64-vjeçare.
Tutmania u ringjall në vitet ‘70 të shekullit XX me suksesin ndërkombëtar të ekspozitës “Thesaret e Tutankamonit”. Atraksioni i saj kryesor, maska e artë, tërhoqi më shumë se 1.6 milionë vizitorë në Muzeun Britanik në vitin 1972, duke mbetur ende ekspozita më e vizituar në historinë e tij. Më pas ekspozita udhëtoi për dy vjet në Bashkimin Sovjetik. Pas kësaj, ajo u shfaq në gjashtë qytete të Shteteve të Bashkuara midis viteve 1976 dhe 1979, ku u bë një sensacion i tillë saqë frymëzoi komedianin e famshëm Steve Martin të krijonte këngën e tij humoristike, Mbreti Tut [King Tut]. Me një zë të qetë, ai i tha audiencës së [programit] Saturday Night Live: “Mendoj se është një turp kombëtar mënyra se si e kemi komercializuar këtë gjë me xhingla dhe lodra, bluza dhe postera”, përpara se të performonte një parodi qesharake vallëzimi.
Varri i plotë më në fund në ekspozim
Nga kultura popullore te kërkimi serioz studimor, historia e Tutankamonit vazhdon të magjepsë. Më shumë se një shekull pas zbulimit të parë, objektet e gjetura në varr ende mbajnë mistere për t’u zbuluar. Elizabeth Frood nga Universiteti i Oksfordit i tha më 2019 programit të BBC-së, In Our Time, se më pak se një e treta e objekteve të gjetura në varr ishin analizuar plotësisht. “Po flasim për më shumë se pesë mijë objekte individuale dhe mendoj se kjo e ka mbingarkuar pak këtë fushë studimi”, tha ajo. “Është shumë e vështirë të kuptosh si të menaxhosh disa kategori objektesh në këtë grup, sepse nuk ka asgjë të ngjashme me të”.
Në vitin 2025, përmbajtja e plotë e varrit u vendos më në fund në ekspozim në një muze të ri pranë një prej Shtatë Mrekullive të Botës së Lashtë, Piramidës së Madhe të Keopsit në Gizë. Dr. Tarek Tawfik, ish-drejtor i Muzeut të Madh Egjiptian, i tha BBC-së: “M’u desh të mendoja si mund ta paraqesim atë në një mënyrë tjetër, sepse që nga zbulimi i varrit në vitin 1922, rreth 1 800 objekte nga më shumë se 5 500 që ndodheshin brenda varrit kanë qenë në ekspozim. Më lindi ideja për të shfaqur të gjithë varrin, që do të thotë se asgjë nuk mbetet në depo, asgjë nuk mbetet në muze të tjerë, dhe vizitorët mund të përjetojnë përvojën e plotë, ashtu siç e përjetoi Howard Carteri më shumë se 100 vjet më parë”.
Maska e artë e Tutankamonit ndodhet në muze, por mumja e tij mbetet duke pushuar në Luginën e Mbretërve, aty ku Carteri dhe ekipi i tij, të mbushur me admirim, kishin hasur aq shumë “shenja të jetës së fundit”.
Në transmetimin e Carterit në BBC, ai vuri në dukje se një kurorë e vogël me lule e vendosur mbi kapakun e jashtëm të artë të sarkofagut ishte ndoshta “dhurata e fundit e lamtumirës nga mbretëresha e re e ve për bashkëshortin e saj”.
“Mes gjithë atij shkëlqimi mbretëror, nuk kishte asgjë aq të bukur sa ato pak lule të vyshkura. Ato na treguan se sa e shkurtër ishte në të vërtetë një periudhë prej 3300 vjetësh”. /Telegrafi/