Bakteret e dobishme në këtë ushqim tradicional tregojnë potencial për eliminimin e nanoplastikës, sipas një studimi të ri
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Bioresource Technology ka treguar se kimçi, një ushqim tradicional korean i përgatitur nga perime të fermentuara (më shpesh lakër), ka potencial të ndihmojë në eliminimin e grimcave shumë të vogla plastike të njohura si nanoplastikë.
Kimçi është një ushqim i fermentuar, i pasur me baktere të dobishme për zorrët, i cili përgatitet zakonisht nga lakra, rrepat dhe erëza të ndryshme. Ai njihet për përfitimet e tij për tretjen dhe për forcimin e sistemit imunitar, falë përmbajtjes së lartë të probiotikëve.
Nanoplastika është një formë e mikroplastikës që krijohet nga shpërbërja e produkteve të konsumit. Këto grimca janë aq të vogla sa mund të depërtojnë në qeliza, në inde dhe madje të kalojnë edhe barrierën gjak tru. Sipas Agjencisë Amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA), ato hyjnë në ushqim kryesisht për shkak të ndotjes së mjedisit ku prodhohet dhe rritet ushqimi, transmeton Telegrafi.
Si ndihmon kimçi?
Studimi ka treguar se bakteret e acidit laktik që gjenden në kimçi lidhen me grimcat e nanoplastikës brenda zorrëve. Kjo bën të mundur që këto grimca të dëmshme të grumbullohen dhe të largohen nga trupi përmes sistemit tretës.
Testimet e kryera te minjtë e kanë konfirmuar këtë efekt. Te minjtë e të dy gjinive, të cilëve u është dhënë lloji i bakterit Leuconostoc mesenteroides, i izoluar nga kimçi, është vërejtur më shumë se dyfishim i sasisë së nanoplastikës në feçe, çka tregon për një eliminim më efikas të tyre përmes traktit tretës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate janë marrë në kushte laboratorike dhe nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar nëse i njëjti efekt ndodh edhe te njerëzit.
Potencial edhe në perime të tjera
Kimçi nuk është i vetmi ushqim me këtë potencial. Revista Food & Wine, duke iu referuar studiuesve nga Universiteti Tarleton State, ka raportuar se bamja dhe fenugreku mund të kenë efekte të ngjashme.
Ekipi shkencor ka zbuluar se bamja dhe fenugreku, kur shtohen në ujë të ndotur, krijojnë një substancë që lidh grimcat e mikroplastikës në grumbuj. Këta grumbuj më pas ndahen nga lëngu dhe bien në fund, duke ndihmuar në pastrimin e ujit. /Telegrafi/